Cristiano Ronaldo, i njohur për thyerjen e rekordeve në fushën e futbollit, tashmë po bën të njëjtën gjë edhe në rrjetet sociale.
Të mërkurën, sulmuesi portugez hapi kanalin e tij në YouTube dhe brenda 90 minutave arriti të bëhet kanali më i shpejtë që arrin një milion abonentë, duke marrë një pllakë të artë si shpërblim. Deri në orët e mëngjesit të sotëm, numri i abonentëve kishte arritur në mbi 30 milionë, duke vendosur përsëri një rekord për arritjen më të shpejtë të kësaj shifre.
Një nga videot e tij, ku Ronaldo dhe bashkëshortja e tij Georgina flasin për veten dhe marrëdhënien e tyre, ka arritur tashmë gati 10 milionë shikime. Ylli i futbollit ka 170 milionë abonentë në Facebook, 112.6 milionë në X/Twitter dhe 636 milionë në Instagram.
https://x.com/Cristiano/status/1826383235166945404
Me një prani të tillë masive në rrjetet sociale, ai mbetet një nga sportistët më të njohur dhe më të pasur në botë, ndërkohë që vazhdon të jetë aktiv si kapiten i skuadrës saudite Al-Nassr dhe i ekipit kombëtar të Portugalisë, në moshën 39-vjeçare.
Ronaldo mban rekordin për më shumë paraqitje ndërkombëtare (200) dhe gola ndërkombëtarë (130), dhe ka fituar pesë herë Topin e Artë, çmimi më i lartë individual për futbollistët. Ai shënoi edhe dje, në ndeshjen e parë të fushatës së fundit të Al-Nassr në Pro Ligën Saudite, ku ndeshja përfundoi në barazim 1-1 kundër Al-Raed.