Ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu, inspektoi sot nga afër spitalin Covid-3. Nga aty ajo tha se po përgatitet për të pasur në çdo rast shtimi numrash, sidomos në sezonin e dimrit, si stafet mjekësore ashtu edhe kapacitetet mjekësore.
“Jemi duke u përgatitur për të patur burime njerëzore të nevojshme për strukturën e spitalit COVID3, pra ish-kirurgjitë dhe për spitalin COVID4 që është në aksin Tiranë-Durrës. Ka filluar rekrutimi dhe trajnimi i stafit. QSUT-së i janë shtuar 50 punonjës, një pjesë tashmë janë rekrutuar dhe një pjesë janë në rekrutim e sipër. Do të kryejnë dhe trajnimet e nevojshme dhe do të kombinohen me stafe të tjera me eksperiencë.
Kemi një strategji të detajuar në raport me situatën që presim, pra për situatën e vjeshtë-dimrit. Dhe plani i detajuar, parashikon disa komponentë të rëndësishëm dhe fuqizimin e tyre. Duke filluar nga testimi, duke vijuar nga kapacitetet spitalore, duke vazhduar tek burimet njerëzore, të cilat janë aseti ynë më i çmuar. Ndaj jemi duke mundësuar që skuadrat e mjekëve dhe infermierëve të jenë të gatshëm që në momentin që do të duhet, t’i kemi gati dhe të jenë të trajnuar”, tha Manastirliu.