Shqipëria ka vendosur të tërhiqet përkohësisht nga neni 8 dhe 11 i Konventës për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive Themelore të Njeriut. Me anë të një note verbale të dërguar pranë Këshillit të Evropës, Shqipëria e ka arsyetuar këtë veprim me shpalljen e gjendjes së fatkeqësisë natyrore e cila ka sjellë kufizime në liri dhe të drejta themelore të njeriut lidhur me lëvizjen, transportin ajror, detar dhe tokësor, procesin arsimor si dhe të drejtën e pronës.
Roden Hoxha
“Masat e miratuara nga Qeveria, ndër të tjera përfshijnë, kufizimin gradual të trafikut ajror, tokësor dhe detar, pezullimin e procesit arsimor, vendosjen e procedurave të karantinës dhe izolimin, kufizimin e mbledhjes ,manifestimit dhe grumbullimit, kufizimin e së drejtës së pronës, etj. rregullore e veçantë për ofrimin e shërbimit publik dhe procedurat administrative”, thuhet në deklaratën e Këshillit të Evropës.
Marrja e masave të fundit nga Qeveria Shqiptare sipas Këshillit të Evropës, e heqin Shqipërinë nga detyrimet e përcaktuara nga konventë dhe në disa pika të Protokolleve shtesë.
“Zbatimi i masave të marra nga Qeveria gjatë kohës së pandemisë, jep arsye për të shmangur detyrimet e caktuara të Republikës së Shqipërisë, në bazë të neneve 8 dhe 11 të Konventës për Mbrojtjen e të Drejtave të njeriut dhe lirisë Themelore, nenet 1 dhe 2 të Protokollit të Konventës për Mbrojtjen e të Drejtave të njeriut dhe Lirisë Themelore dhe nenit 2 të Protokollit Nr.4 të konventës për Mbrojtien e të Drejtave të Njeriut dhe Lirisë Themelore”, -vazhdohet më tej në deklaratë.
Roden Hoxham ish-Përfaqësues i Përhershëm i Agjentit Qeveritar Pranë Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, shpjegon për Citizens Channel se një tërheqje të tillë në baza të përkohshme, konventa e lejon.
“Konventa një derogim (tërheqje) të tillë e lejon, por gjithmonë në baza të përkohshme, dhe gjithmonë duke imponuar detyrimin tek shteti përkatës që të përditësojë Këshillin e Evropës në mënyrë të vijueshme mbi situatën e cila ka sjellë detyrimin e kryerjes së një veprimi të tillë. Nuk është diçka e cila nuk ka ndodhur më parë, apo që nuk ka precedent tek shtete të tjera. Një derogim i tillë nuk është se sjell pasoja tejet të rënda për vendin tonë. Në fakt një numër vendesh kanë filluar procedura të tilla paralelisht me ne, si Armenia, Gjeorgjia, Moldavia, por dhe fqinji jonë Maqedonia e Veriut”,-sqaron ai për Citizens Channel.
Sipas Hoxhës kjo lloj tërheqje ndodh zakonisht në shpalljen e gjendjes së jashtëzakonshme apo fatkeqësisë natyrore, pasojat e të cilave nuk mund të parashikohen.
“E vetmja pasojë afatshkurtër për qytetarët shqiptarë është fakti që për sa kohë ky derogim është aktiv, nuk do të kenë mundësinë e ankimit pranë Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, për limitimin e të drejtave të tyre. Ose më saktë, do ta kenë këtë mundësi, pasi është Gjykata Evropiane për të Drejtat e Njeriut ajo që përfundimisht vendos nëse derogimi është i justifikuar dhe si pasojë shkelja e të drejtave të qytetarëve, por që për këta të fundit barra e provës do të jetë goxha më e lartë se sa në një situatë normale, për sa kohe elementi i detyrimit të përcaktimit të limitimeve të të drejtave me ligj nga ana e shtetit është plotësuar”, -shprehet juristi Hoxha.
Juristi Hoxha shpjegon më tej se tërheqja nga Konventa e Të Drejtave të Njeriut nuk është diçka e pa ndodhur më parë, por ajo që duhet parë është se cilat shtete kanë vendosur ta bëjnë, gjë që tregon shumë për demokracinë e tyre.
“Ajo që vihet re në rastin konkret të gjendjes së pandemisë botërore është që asnjë demokraci perëndimore nuk ka kërkuar derogim nga Konventa. Nëse shihet lista e vendeve që kanë paraqitur notë verbale, janë vetëm vende me demokraci të re ose në disa raste, hibride. Vendet e Evropës Perëndimore kanë aplikuar parimet e balancës së të drejtave dhe detyrimeve, e thënë thjeshtë, nuk i kanë rënë shkurt duke u tërhequr tërësisht nga aplikimi i parimeve të Konventës”.
Një shembull i shkeljes së të drejtave është edhe rasti I fundit në Shqipëri, ku shkelësit e karantinës u dënuan me gjoba, gjë e cila sipas juristit u krye pa kuadër ligjor.
“Një shembull perfekt i kohëve të fundit është gjobitja e shkelësve të karantinës së detyruar, pa një kuadër ligjor me fuqinë e plotë të ligjit, gjë e cila e detyroi Qeverinë që të paraqitet përpara pak ditëve si e mëshirshme tek publiku dhe të “anuloje” 7.000 gjoba të vendosura, ndërkohë që ligji i cili rregullon aplikimin e tyre në fakt nuk kishte qenë në fuqi”.
Shqipëria e ka ratifikuar Konventën Evropiane për Mbrojtjen e të Drejtave të njeriut dhe Lirive Themelore, në korrik të vitit 1996, bashkë me protokollet shtesë të saj, përkatësisht Nr.1, Nr.2, Nr.4, Nr.7, Nr.11.
Ajo është tërhequr edhe më parë nga disa pika të Konventës, gjatë trazirave të vitëve 96-97, dhe ka tërhequr notën verbale të saj në tetor të viti 1997, duke iu nënshtruar sërish tërësisë së parashikimeve të Konventës.