“50 ushtarë janë përzgjedhur për të testuar sigurinë dhe efektivitetin e vaksinës kundër koronavirusit; në këtë selektim përfshihen edhe pesë gra. Të gjithë kandidatët nuk janë diagnostikuar me ndonjë sëmundje përgjatë muajit të kaluar”, deklaroi Ministria e Mbrojtjes në Rusi.
Të gjithë kandidatët që do të ndihmojnë në zhvillimin e vaksinës kanë kaluar në kontrolle dhe teste paraprake.
Vullnetarët që do të marrin pjesë në testim të vaksinës vijnë nga njësi të ndryshme.
Ministria e Mbrojtjes deklaroi se hetimet klinike duhet të përfundojnë deri në fund të muajit korrik.
Më herët shkencëtarët në Rusi kanë kryer testimin e parë jozyrtar të një vaksine kundra Covid-19 dhe ata thonë se është efektive.
Epidemiologët në Moskë morën hapin për ta injektuar vaksinën tek vetja e tyre dhe për të ekzaminuar rezultatet më 24 maj.
RTR shkruan se testi është kryer nga punonjësit në Qendrën Kombëtare të Kërkimit për Epidemiologji dhe Mikrobiologji, në Moskë.