Kreu i firmës bioteknologjike gjermane në Tybingen, CureVac, Franz Werner Haas ka bërë të ditur, se nga vjeshta është i mundur furnizimi i dhjetëra mijëra vetëve me një vaksinë kundër virusit Corona.
Të dhënat përkatëse për këtë do të jenë gati në tremujorin e tretë të vitit, tha Haas për revistën gjermane ”Wirtschaftëoche” – Java Ekonomike.
”Nëse të dhënat janë të mira, dhe autoritetet japin OK-in e tyre, atëherë mund të fillojmë që këtë vit me një studim të gjerë.” Me mijëra vetë mund të marrin ndërkohë vaksinën”, u shpreh ai.
Nëse vaksina për masën e gjerë është në dispozicion këtë vit apo në vitin 2021, kjo varet nga konkluzionet e studimeve klinike dhe vendimi i autoriteteve përkatëse, shtoi me tej, duke theksuar se në një repart ekzistues mund të prodhohen ”në vit 200-400 milionë doza vaksine” kundër Covid 19. Faza e parë e prodhimit ndërkohë ka filluar. CureVac, që së fundmi mori nga Bashkimi Europian 80 milionë euro mbështetje, kërkon ta përdorë investimin e BE për zgjerimin e reparteve të prodhimit. Në vitin 2022 zgjerimi i repartit mund të jetë në funksion.
“Aty mund të prodhojmë në vit 1 miliardë doza vaksine dhe më shumë kundër virusit”, tha Haas për gazetën. Reparti mund të përdoret edhe për prodhimin e vaksinave të tjera, në rast të shpërthimeve të ngjashme të epidemive.
Top Channel