Në Kosovë, 24 orët e fundit u raportuan pesë viktima dhe 168 të infektuar me koronavirus. Numri i përgjithshëm i viktimave ka arritur në 144. Sipas autoriteteve, që nga fillimi i pandemisë, numri i të prekurve nga infeksioni është rritur në 6045. Gjatë 24 orëve të fundit janë shëruar edhe 157 pacientë duke e çuar numrin e përgjithshëm të të shëruarve në 3226 kurse rastet aktive në vend janë 2675.
Maqedonia e Veriut 24 orët e fundit nuk ka regjistruar asnjë viktimë nga koronavirusi . Që nga muaji mars, kjo është hera e parë që brenda periudhës 24 orëshe ky vend nuk ka regjistruar asnjë vdekje nga COVID-19. Në Maqedoninë e Veriut numri i përgjithshëm i atyre që kanë humbur jetën është 432. Sa i përket të infektuarve, sipas raportit të Ministrisë së Shëndetësisë, nga testimi, 163 kanë rezultuar pozitivë.
Ne Mal te Zi autoritetet kanë shpallur sërish epideminë e koronavirusit në gjithë territorin e vendit. Njoftimi është bërë nga qeveria malazeze. Më 2 qershor vendi i Ballkanit Perëndimor e kishte shpallur të përfunduar epideminë, mirëpo në javët e fundit, numri i personave të infektuar me koronavirus, ka shënuar rritje. Numri i përgjithshëm i të infektuarve ka arritur në 1.920 ndërsa janë regjistruar 26 vdekje. Vendosja e maskës mbrojtëse në mjedise të hapura dhe të mbyllura është e detyrueshme, përveç plazheve dhe parqeve kombëtare, me kushtin e mbajtjes së distancës fizike. Tubimet janë të kufizuara në 40 persona në vende të hapura publike, dhe në 20 persona në vende të mbyllura.
Një grup prej më shumë se 300 mjekësh në Serbi, të mbledhur rreth nismës “Të bashkuar kundër COVID-19”, i drejtoi një letër të hapur ekzekutivit vendas duke kërkuar dorëheqjen e Shtabit të Krizës. Sipas këtyre mjekëve, Serbia përballet me një “katastrofë shëndetësore publike”. Nënshkruesit e letrës kërkuan formimin e një shtabi të ri, hetimin e pretendimeve se ka pasur fshehje të të dhënave si dhe ndalimin e frikësimeve dhe politizimeve që siç thonë ata “cenojnë dinjitetin personal të punonjësve shëndetësorë”. Sipas mjekeve, e gjithë kjo ka tronditur rëndë sistemin shëndetësor dhe ka minuar besimin e qytetarëve dhe të punonjësve”. Në muajin qershor, Rrjeti Investigativ BIRN raportoi se numri i viktimave nga koronavirusi në Serbi është shumë më i lartë nga sa raportohet. Sipas BIRN-it, të dhënat ku ka pasur qasje ai, tregonin se në Serbi, nga data 19 mars deri në 1 qershor, 2020, kishin vdekur 632 pacientë nga koronavirusi, në një kohë kur për këtë periudhë, numri zyrtar i jetëve të humbura ishte 244. Aktualisht, Serbia regjistron mbi 20,000 raste pozitive dhe 472 pacientë të vdekur.