Ka ndërruar jetë si pasojë e Covid-19 profesoresha e Universitetit të Tiranës, Irena Bogdani.
Lajmi i trishtë është njoftuar nga Universiteti i Tiranës përmes një postimi ku shprehen ngushëllimet për familjarët, miqtë dhe kolegët.
“Me hidhërim të thellë mësuam ndarjen nga jeta në mënyrë të beftë kolegia jonë e shtrenjtë, Prof. Asoc. Irena Bogdani. Ashtu siç jetoi dhe punoi me fisnikëri, urtësi dhe thjeshtësi, ashtu edhe u nda nga kjo jetë pa përzier askënd në vuajtjen e saj. Në këto ditë të trishta për të gjithë ata që e deshën, e vlerësuan dhe mësuan prej saj, ne duam t’iu shprehim ngushëllimet me të sinqerta familjarëve, miqve, kolegëve e studentëve të profesoreshë Irenës, si dhe të kujtojmë e nderojmë jetën e saj, arritjet, punën, këmbënguljen e pafjalë dhe drejtësinë e pashoqe që e karakterizonte. Kolegët, studentët dhe miqtë e saj do ta kujtojnë gjithmonë si profesioniste të shkëlqyer, bashkëpunëtore korrekte, model qytetarie në marrëdhëniet njerëzore. Dritë pastë shpirti i saj!”, shkruan UT.
Mesazhi ngushëllues i ministres Kushi
Lidhur me ndarjen nga jeta të pedagoges një mesazh ngushëllimi ka ardhur edhe nga Ministrja e Arsimit, Sportit dhe Rinisë, Evis Kushi.
“Për profesoreshë Irena Bogdanin në Universitetin e Tiranës ruaj mbresat më të mira nga shumë konferenca shkencore ku kemi marrë pjesë së bashku. Ajo ishte një akademike e profesioniste shumë e mirë dhe gëzonte respekt tek të gjithë kolegët e studentët.
Shumë e pikëlluar për humbjen e saj të parakohshme nga virusi i pabesë dhe shpreh ngushëllimet më të sinqerta për familjarët dhe gjithë të afërmit e saj. U prehsh në paqe profesoreshë Irena!”, shkruan Kushi.
Biografia
Diplomuar në 1981 në Fakultetin e Ekonomisë të Universitetit të Tiranës në profilin”Kontabilitet”. Pedagoge efektive pranë FEUT që prej vitit 1982. Drejtuese e leksioneve dhe seminareve në disa lëndë, nga të cilat për shtrirjen e gjatë kohore të mësimdhënies veçohen lëndët “Kontabiliteti për Fakultetin e Drejtësisë”, “Kontabiliteti Publik” dhe “Kontabilitet” në Fakultetin e Shkencave të Natyrës, Dega Informatikë. Pjesëmarrëse në mjaft kurse, trainime e kualifikime. Rëndësi të veçantë për formimin profesional dhe shkencor kanë pasur kualifikimet disamujore në Francë për Kontabilitetin Publik, në Gjermani për Kontabilitetin financiar dhe programet kompjuterike dhe në SHBA për Kontabilitetin Publik.
Në vitin 1989 ka fituar gradën “Doktor i Shkencave Ekonomike” dhe në 1999 titullin“Profesor i Asociuar”. Puna shkencore është orientuar në rradhë të parë në shërbim të mësimit. Botuar e ribotuar disa herë teksti I “Kontabiliteti për fakultetin e drejtësisë”dhe teksti “Kontabiliteti publik”. Titullare e lëndës “Kontabiliteti publik dhe i OJFve” dhe “Kontabiliteti për studentët e informatikës”. Në proces pëgatitje të teksteve “Kontabiliteti publik dhe i OJFve” dhe tekstit për studentët e Masterit Shkencor në Informatikë. Pjesëmarrëse në konferenca shkencore me artikuj, studime si dhe udhëheqëse e disertantëve në punime doktorate.