CNN,stacioni i ri me seli qendrore në Tiranë
Kompania Gener 2 në partneritet me gjigandin botëror të informimit CNN do të lançojë një stacion të ri televiziv në Shqipëri. Dorina Troka, drejtore e Marketingut dhe Komunikimit, Gener2 tregon për “Shqiptarja.com” se si u arrit ky partneritet ekskluziv me CNN.
Për herë të parë, pas 26 vitesh pluralizëm, CNN po planifikon që të veprojë edhe në Shqipëri?
Një nga kompanitë udhëheqëse në tregun shqiptar, Gener2 në partneritet me CNN do të lançojë një stacion të ri televiziv, dedikuar lajmit, për shqiptarët, jo vetëm ata që jetojnë këtu, por edhe ata në diasporë, kudo ku ndodhen. Emri i televizionit do të jetë A2. Ky është një sinjal i fortë nga CNN, sepse ata i zgjedhin me shumë kujdes partnerët e tyre. Procesi i negociatave, si edhe ai i verifikimit të partnerin gjithashtu ka qenë i gjatë dhe i detajuar.
Gjatë takimit, që drejtuesit e Gener 2 patën në zyrat qendrore të CNN në Londër, javën e kaluar u realizuan bisedime me rëndësi të posaçme, por edhe u hodhën hapa konkretë për zhvillimin e A2. Nga ana tjetër edhe drejtuesit e CNN u shprehën të lumtur dhe me pritshmëri të larta sa i përket këtij bashkëpunimi dhe partneriteti. Ajo që duhet të qartësojmë është se ky është një investim privat, një partneritet ekskluziv me televizionin lider botëror për lajmin. A2 do të jetë platforma ku përvoja ndërkombëtare dhe do të bashkohet me vizionin lokal mediatik për të zbatuar projektin më të madh në këtë fushë në Shqipëri për vitin 2018.
A mund të qartësoni se në çfarë gjuhe do të komunikohet përmbajtja?
Stacioni i ri televiziv, A2 do të ofrojë përmbajtje informative, si për shqiptarët brenda vendit, ashtu edhe për ata të diasporës dhe më gjerë. I gjithë informacioni i CNN që do të transmetohet ekskluzivisht nga CNN do të përkthehet në gjuhën shqipe.
(Dorina Troka, drejtore e Marketingut dhe Komunikimit, Gener2)
Pra, po hapni një zyrë të CNN këtu apo do të vini me një gjetje të re?
Ne jemi duke ndërtuar një kanal televiziv tërësisht të ri. A2 do të operojë në një godinë të re me zyra qendrore në Tiranë, do të ketë studio televizive dhe çdo lehtësi të mundshme për prodhimin e përmbajtjeve informative. Parashikohet që të punësohen mbi 100 profesionistë të fushës së medias.
A2 do të prodhojë dhe transmetojë përmes pajisjeve të teknologjisë më të fundit të informacionit, krejtësisht të reja dhe që nuk janë përdorur më parë në tregun mediatik shqiptar. Objektivi ynë është që të bëhemi shumë shpejt liderët e informacionit në tregun shqiptar, si dhe të rrisim ndjeshëm standardet në prodhimin dhe shpërndarjen e lajmit. A2, do të prodhojë lajme duke ndjekur standardet dhe praktikat e CNN me profesionalizëm dhe besueshmëri, që janë dy tiparet tona dalluese kryesore. Partneri lokal do të krijojë zyra partnere vendore dhe rajonale ekskluzive dhe do të ofrojë përmbajtje lokale dhe ndërkombëtare të lajmeve në gjuhën shqipe.
Në cilat platforma do të transmetoni?
A2 do të transmetojë në të gjitha platformat me pagesë. Ne synojmë që të mbërrijmë në çdo shtëpi të shqiptarëve dhe falëteknologjisë botërore që ofrojnë platformat OTT dhe Pay TV do të bëhemi të arritshëm edhe për të gjithë diasporën shqiptare. Për Kosovën dhe Maqedoninë do të tregohet vëmendje e veçantë, pasi A2 do të jetë prezent me stacione të dedikuara televizive në secilin prej këtyre shteteve.
Çfarë programesh do të synohen që të sillen në Shqipëri?
Një nga segmentet kyç të partneritetit me CNN do të jetë edhe ndërtimi i strukturave bazuar në standardet dhe praktikat më të mira. Ne synojmë të ngremë standardet në procesin e përzgjedhjes, prodhimit, si dhe shpërndarjes së lajmeve për audiencën. Gjatë periudhës së zhvillimit, stafi i CNN do të përfshihet në ofrimin e trajnimeve për të gjithë punonjësit e A2 dhe në çdo aspekt do të ofrohen njohuritë e CNN. Ne do të përpiqemi që të plotësojmë disa boshllëqe që i kemi vënë re në treg, veçanërisht në raportimin e drejtpërdrejtë, në atë që njihet si “lajmi i minutës së fundit”, por edhe te titujt kryesorë.
Cilit segment të popullatës do t’i drejtoheni?
Jo vetëm A2, por edhe çdo stacion televiziv lajmesh synon që të tërheqë një masë sa më të madhe audience. Megjithatë, nga analizat tona kemi kuptuar kalimet që bëhen ndërmjet platformave aktuale, si dhe çdo kanali tjetër të ri, ndaj dhe do të synojmë që të ndërtojmë operacione të forta dixhitale për të garantuar rritjen, si dhe te grupet e përdoruesve, të cilët janë të prirur të ndërveprojnë më shumë me platformat dixhitale. A2 do të ofrojë lajme të kuruara profesionalisht, në kohë reale dhe që do t’i shërbejnë audiencës së çdo platforme. Megjithatë, ajo që mund të themi është se në fokusin do të jetë popullsia nga mosha 19 vjeç deri në 69 vjeç.
Si do të jetë raporti mes stafit shqiptar dhe atij të huaj?
A2, do të drejtohet dhe zhvillohet përmes stafit shqiptar, por për të ngritur sa më lartë nivelin profesional, sikundër e kërkon edhe partneriteti me CNN, në bordin e këtij televizioni do të mbërrijnë këshilltarë me përvojë botërore në industrinë e medias, të cilët do të angazhohen në procese të tilla si operimi, orientimi i stafit dhe trajnimi i tyre sipas kushteve dhe aftësive që do të kërkohen.
Qëllimi ynë është që të trajnojmë rrjetin lokal sipas njohurive të CNN dhe standardeve të gazetarisë që ata zbatojnë çdo ditë.
Si lindi ky bashkëpunim dhe pse pikërisht tani?
A2, lindi nga dëshira për të futur standarde të reja në industrinë mediatike shqiptare. CNN e kuptoi më së miri këtë dëshirë. Kredibiliteti i Gener 2 ishte padyshim një nga elementët kryesorë që bindi CNN për këtë partneritet. Partneri lokal i biznesit identifikoi mundësinë dhe vendosi të bashkohet me një prej ofruesve më të respektuar të lajmeve në nivel ndërkombëtar në mënyrë që të shkojmë drejt standardeve më të larta. Ne shpresojmë se ardhja e CNN në tregun shqiptar do të jetë një hap i rëndësishëm për të gjithë tregun e medias dhe do të nxisë kompanitë e tjera që janë të pranishme tashmë të rrisin standardet dhe të investojnë më shumë në teknologjinë dhe trajnimin e stafit. Ndoshta në këtë mënyrë, CNN, nuk do të jetë thjeshtë dhe vetëm një markë ndërkombëtare mediatike e pranishme në tregun shqiptar.
Tregu televiziv shqiptar duket se ka arritur mbingopjen. Ka më shumë televizione sesa gazetarë e stafi teknik në dispozicion. Përtej profesionalizmit tuaj që është i pakontestueshëm, çfarë do të mund të sillni ndryshe? Çfarë do t’ju dallojë nga televizioni tradicional ekzistues në Shqipëri?
Profesionalizmi është vetëm rezultati përfundimtar. Për ta arritur atë duhet të zgjedhim gazetarë, reporterë, prezantues me cilësi të lartë, t’u ofrojme atyre trajnime nga media udhëheqëse globale,si CNN, të prezantojme teknologjitë më të fundit që po përdoren, si dhe t’i trajnojme për t’i përdorur ato. E gjitha kjo e kombinuar do të sjellë ndryshimin në treg. Respektimi i standardeve të CNN do të sigurojë pavarësi absolute dhe besueshmërinë e lajmeve në A2.
Si do të mbështetet financiarisht ky projekt?
Zhvillimi i A2 në partneritet ekskluziv me CNN për Shqipërinë, mbështetet plotësisht nga Gener 2. Kur A2 të nisë transmetimet direkte ne presim që të kthehemi në burimin më të besueshëm të lajmeve në tregun shqiptar dhe në këtë mënyrë të tërheqim vëmendjen e partnerëve tregtarë, të cilët do të përfitojnë nga bashkëpunimi me A2 dhe programet e tij me atë tërheqin partnerët tregtarë të cilët do të shohin mundësi dhe përfitime ekonomike nga bashkëpunimi me vetë me A2. Investime private që do të gjenerojnë të ardhura nga platforma televizive me pagesë, aktivitetet tregtare, shitjet e marketingut, prodhimi i lajmeve, etj..
A mund të bëni të ditur shifrën e investimit, nëse nuk është sekret?
Mund të themi padyshim që do të jetë investimi më i madh në fushën mediatike për vitin 2018.
Cilat janë afatet e këtij projekti? A do të nisni veprimtarinë brenda këtij viti?
Të gjitha parashikimet tona janë optimiste për të nisur nga puna në fund të vitit 2018.
d.c./shqiptarja.com