Para së gjithash, dua ti shpreh ngushëllimet e mia e të të gjithë të afërmve të mi, familjes së të ndjerit. Marrim pjesë në hidhërimin e tyre dhe të rrojnë e ta kujtojnë.
Në gjuhën gazetareske do thuhej se, kanë kaluar 48 orë nga vrasja e të riut Klodian RASHA dhe akoma nuk kemi një qëndrim zyrtar përfundimtar të organeve shtetërore, polici-prokurori. Ndërsa në gjuhën e qytetarit të qetë shqiptar do të thuhej se, ata po e lënë të harrohet derisa ti vijë radha dikujt tjetër.
Ajo që nuk lëviz është se, policia kreu vrasjen e të riut RASHA. Ishte vetëm 25 vjeç: fëmijë. Sikur të mos mjaftonte kjo dhe në vend të një pune efikase nga ligjzbatuesit, kemi deklaratat konfuze të policisë dhe paaftësinë e prokurorisë. Janë pikërisht këto kontradiksione, që sjellin pasojën më të rëndë pas vrasjes, mungesën e besimit te institucionet.
Ajo që bie në sy nga policia dhe heshtja e prokurorisë është fakti, i cili duket qartë si drita se, ata duan ta manipulojnë vrasjen. Qëllimi i tyre është ta paraqesin, si një veprim individual të policit të shërbimit, në kapërcim të kompetencave të tij, duke nxjerrë dorë jashtë drejtuesit e policisë dhe qeverisë(se ku e kam dëgjuar: fytyra e kujt ishte fytyra e policit shqiptar?).
Kjo duket nga çfarë kemi parë e dëgjuar deri tani. Një herë u tha goditje me dy plumba, njëri në kokë; pastaj u ndryshua dhe goditja kishte qenë vetëm me një plumb në shpatull, i cili i kishte prekur zemrën; dëmtimi në kokë kishte ardhur nga rrëzimi përtokë; sot madje dëgjojmë nga gazetarët, që nga burime të prokurorisë paska patur edhe goditje e dëmtime në trup. Më falni për këtë figuracion, por regjisori i famshëm Anagnosti do të xhelozohej për filmin e tij ‘Lulëkuqet…’
Gjithashtu policia është konfuze, jo pa qëllim, kur nuk jep të qartë versionin, që i riu i është dukur se kishte armë në dorë. Si për ta përforcuar këtë na rezulton një pistoletë e gjetur larg vendit të vrasjes. Duket dora mjeshtërore e policisë shqiptare, e cila shkollën më të fortë të sajë, ka si të manipulojë, jo të luftojë krimin.
Kush duhet ti qartësojë zyrtarisht këto, në cilësinë e provave para një gjykate të pavarur dhe të paanshme. Prokuroria do thotë dikush. Për atë zot, të mos flasim për besimin e publikut te prokuroria. U duk qartë se si, menjëherë pas vrasjes së Klodianit prokuroria publikoi arrestimet e disa ish të dënuarve me burgim të përjetshëm(e çuditshme se si të dënuar të përjetshëm arrestohen në liri) për vrasje të kryera para 15 vitesh dhe pikërisht këtë ditë. A nuk i interesonte qeverisë kjo, për të tërhequr vëmendjen nga tragjedia??
Kush duhet ta qartësojë se sa plumba e plagë kishte marrë Klodiani dhe ku i kishte marrë ato? Nga sa larg është qëlluar, cili është drejtimi i predhës, në shpinë apo nga përpara?? Etj,. etj. Këto duhet ti sqarojë mjekësia ligjore. Nga kush varet ky institucion?
E pra, për këto raste Instituti i Mjekësisë Ligjore varet nga Ministria e Drejtësisë, pra nga Edi Rama. A nuk janë pikërisht këta, që zyrtarisht nuk guxojnë të deklarojnë numrin zyrtar të të vdekurve nga covid-19, ndërkohë që Kryeministri deklaron më pak për arsye politike?? Kush ka besim te këta?
Po ekspertët, që bëjnë këqyrjen e vendit të ngjarjes? Kush ju beson atyre se, ku është gjetur pistoleta dhe të kujt janë gjurmët e gishtave në të? Instituti i Kriminologjisë varet nga ministri i Brendshëm. Ekspertëve të policisë…, më mirë mos flasim.
Në këto kushte, pas tragjedisë së vrasjes së të riut nuk kemi asnjë garanci për vendosjen e drejtësisë.
Prandaj dhe qytetarët me të drejtë, veçanërisht të rinjtë, dalin në protestë. Dalin në protestë dhe kërkojnë dorëheqje. Në vendet perëndimore, me institucione të konsoliduara dhe plot besim në shoqëritë e tyre, në ngjarje të tilla politikanët përgjegjës japin dorëheqje para se të flasin institucionet. Është pikërisht kjo lloj dorëheqje, jo vetëm e karakterit të përgjegjësisë politike, që mban besimin te publiku. Ndërsa te ne, as nuk ka besim kush te institucionet dhe as politikanët nuk japin dorëheqje. A do ketë ndonjëherë përgjegjësi politike?? E si të mos ketë protesta? Pak po bëjnë, çfarë duhet të bënin.
Ndaj nuk ka rrugë tjetër, por që të të fillojmë të kemi besim të institucionet tona për këtë rast kaq tragjik, të paktën, duhet të japin dorëheqje nga drejtorët e policisë e deri të Ministri i Brendshëm e Kryeministri. Vetëm pranimi i përgjegjësisë politike mund të kthejë njëfarë qetësie besimi të publikut te institucionet. Ndaj protestat do vazhdojnë si logjikë e forcës së gjërave.
Më bënë përshtypje ata, që u ankuan për pemën e krishtlindjeve(ata vetë e quajnë pema e vitit të ri, si në komunizëm). Ata qytetarë kanë dalë në protestë edhe faktin madhor se, e kanë kuptuar që një ditë mund t`ju vijë radha edhe atyre. Nga kjo qeveri, pritet. Ndërsa ju që ankoheni për pemën, duhet më parë të analizoni se, pas pemës çfarë vjen? Kujdes, ai zjarr simbolik flet shumë.
Ndaj duhet të vazhdojnë protestat me gjithë forcën e tyre qytetare. Sepse nuk duhet që të vazhdojmë me pyetjen: Kush e ka radhën, derisa të na vijë në derë?!
Ka një shprehje, më duket se hebreje: ‘Po ke vrarë një njeri, ke vrarë njerëzimin; po ke shpëtuar një njeri, ke shpëtuar gjithë botën’.