Çdo artikull informues a këshillues lidhur me veshjet e ekranit, fillon me një fjali të tillë “informohu mbi vendin, dritat, skenën dhe të ftuarit e tjerë para se të zgjedhësh veshjen”. Ka shumë rëndësi se si dukesh në ekranin e vogël (ose të madh), sepse shumica e ngjyrave nuk performojnë siç duhet.
Thuhet se të gjelbrën e barit përshëmbull nuk duhet ta konsiderosh fare, as të bardhat nga koka tek këmbët. Edhe e zeza nuk duket mirë në disa raste, sepse tenton të bëhet njësh me sfondin. Nuanca më e preferuar për ekran është bluja, sipas specialistëve. Ose tonalitetet pastel, nuance toke, gritë dhe disa lloje shkëlqimi.
Duke mbajtur parasysh rregullat bazë të dizajnit si dhe ato të ngjyrave, ja cilët ishin ata që u veshën më mirë dhe ata që gabuan në natën e parë të Festivalit të Këngës në RTSH.
Të veshurit më mirë:
Janex: Flokët dhe krejt veshja janë në harmoni me njëra-tjetrën. Se ç’ka një lloj stili krejt personal dhe interesant tek konkurentja për t’u patur zili. Xhaketa me stilin francez të shekullit të XVIII kombinohet më së miri me pantallonat kaush dhe këpucët mashkullore. Tonaliteti i ullirit duket shumë bukur në ekran.
Isli Islami: Prezantuesi ka zgjedhur tuxedo (kostum ceremonial), me papjon dhe butona. Shpresoj të ketë dhe brezin satin (nuk e shoh në foto), i cili kombinohet me jakën shall po ashtu satin. Kopsat metalike dekorative plotësojnë look-un. Më dha idenë e një prezantuesi Italian, të cilin e kemi huazuar për pak kohë në Tiranë.
Kastro Zizo: Edhe pse është veshur me të zeza, sfondi dhe ngjyrat e kuqërremta, e bëjnë që të bjerë në sy veshja dhe look-u. Në tërësi duket që është harmonizuar edhe me këngën, sidomos grimi e bën të duket me stil.
Jonida Maliqi: Nëse do zgjidhja njërin nga veshjet, do ishte fustani golf bojëqielli. I jep shumë dritë portretit si dhe i vë në pah belin.
Kush gaboi:
Viola Xhemali: Ngjyra blu petrolio në sfondin me dritat shumëngjyrshe, bëhet një mishmash i vërtetë. Prerja e kostumit (bluzë dhe pantallona), i vë në pah kofshët dhe pjesën e lëgenit dhe jo belin. Në këtë rast mund të ishin përdorur detaje në nuancën blu dhe baza të bahej neutrale.
Ronela Hajati: Ka një disbalancë midis supeve, belit dhe kofshëve (legenit). Edhe pse është veshur me të zeza, prapë nuk është arritur të krijoget silueta elegante. Dy të çarat tek kofshët e bëjnë të duket edhe më e shëndetshme. Çizmet duhet të ishin më të gjata.
Olimpia Smajlaj: Egjipti takon Helena Paparizou në vitet 2003? Përveçse ngjyrat duken krejt të zbehta dhe të shplara, edhe prerja duket demode. Sandalet me rripa gjysëm gladiator, mund të ishin eleminuar fare.
Xhemi Shehu: Nuk besoj të ketë personazh publik me bukurinë e Xhemit. Kostumi i bardhë më pëlqen, komenti im shkon për culottes, duket sikur ia shkurtojnë pak këmbët. Do kishin qenë më me stil po të ishin mbi gju.