Pas sondazheve të Garantuesit Italian të Privatësisë, edhe vende të tjera hedhin dritë mbi softuerin e inteligjencës artificiale ChatGpt.
Kanadaja – raporton AFP – ka njoftuar se ka hapur një hetim ndaj OpenAi, kompania me bazë në SHBA që lançoi software.
Ndërsa sipas Reuters online, Gjermania, Franca dhe Irlanda po ndjekin hapat e Autoritetit Italian për mbrojtjen e të dhënave personale. Një takim me videokonferencë mes përfaqësuesve të OpenAI dhe Garantuesit Italian të Privatësisë është planifikuar për sot.
Në Kanada, hetimi i Zyrës së Komisionerit të Privatësisë për OpenAI u hap në përgjigje të një “ankese në lidhje me mbledhjen, përdorimin dhe zbulimin e informacionit personal pa pëlqim”, tha agjencia. “Ne duhet të mbajmë hapin me përparimet e shpejta teknologjike dhe kjo është një nga fushat kryesore të fokusit tim”, tha komisioneri kanadez i privatësisë Philippe Dufresne.
Sipas Reuters, rregullatorët e privatësisë në Francë dhe Irlandë kanë kontaktuar homologun italian për të mësuar më shumë rreth ndalimit. Dhe Gjermania mund të ndjekë hapat e Italisë duke bllokuar ChatGpt për shqetësimet e sigurisë së të dhënave, tha komisioneri gjerman për mbrojtjen e të dhënave për gazetën Handelsblatt. Disa ditë më parë Europol paralajmëroi se kriminelët kibernetikë janë të gatshëm të shfrytëzojnë inteligjencën artificiale të chatbot-eve për të kryer mashtrime dhe krime të tjera kibernetike.