Më 2 korrik në një banesë në zonën e Kombinatit u gjetën të pajeta nënë e bijë, Anisa dhe Zhaneta Josifi, ndërsa e mbijetuara e vetme ishte vajza tjetër Blerta Josifi. Viktimat kishin ditë të tëra pa u ushqyer, me arsyen për t’u ringjallur. Dy muaj pas ngjarjes së rëndë xhaxhai i dy vajzave, Dhimo Josifi, rrëfehet për gjendjen e Blertës sot, ndërsa 30-vjeçarja shprehet se ka vetëm dy javë që ka dalë nga spitali.
“Jam ende i shqetësuar për Blertën pasi ajo nuk është në gjendje të jetojë apo të ushqehet vetëm. Blerta edhe sot thotë se mami dhe motra janë në gjirin e zotit, ajo edhe sot thotë se do kthehet përsëri në kishë por atë veprim nuk do ta bëjë më. Pasi doli nga spitali ne jemi kujdesur dhe po kujdesemi shumë për të, pasi ajo është e pa qëndrueshme ende në logjikë. Ka momente që e pyes për diçka që ka të bëjë me ngjarjen dhe ajo në fillim thotë diçka tjetër dhe në fund thotë diçka tjetër. Nuk mund t’i besoj asgjëje apo ta marrë definitive pasi ajo i mohon dhe i pohon gjërat që ne e pyesim. Thotë ende që beson. Ishte plan i përbashkët ajo që ndodhi. Pasi mori mjekim filloi përmirësimin. Do shumë kohë që ta marrë veten. Ne flasim, bisedojmë me të për të mësuar dhe parë se çfarë po ndodhë brenda mendjes së Blertës pasi unë jam shumë i shqetësuar, ajo duket sikur here-herë e ka logjikën tamam por here-herë duket e shqetësuar dhe nuk pohon më ato që mund t’i ketë thënë në fillim. Ne e ngacmojmë për tu kthyer jetës normale të një njeriu të zakonshëm. I them që do shërohesh, do futesh në punë, do martohesh, do bëhesh me fëmijë. Këtë rrugë i hapim ne asaj. Por ajo nuk është shumë e sigurt për këto. Punën e do por duhet të marrim leje nga drejtoria e Spitalit. Ajo thotë recepsioniste momentalisht, duke e quajtur dhe punë të lehtë. Ose kërkon të ketë një dyqan të shesi lule. Mund të shkojë prapë tek puna e saj në një të ardhme (si inxhiniere)”, shprehet xhaxhai për emisionin “Zemër të Hapur” në Neës 24.
Ai tregon se sipas fjalëve të Blertës, si fillim vetëflijimin e kanë nisur Zhaneta dhe Blerta të cilat nuk ja dolën dot dhe dolën nga dhoma, pastaj këtë iniciativë e mori e ndjera Anisa e cila ndërroi jetë 15 muaj më parë sipas mjekësisë ligjore.
Xhaxhai tregon se ngjarja ka zanafillën në 2005-n, kur filluan të merreshin me sekte fetare, ndërsa vdekja e të atit pak vite më parë nuk u përjetua me shumë dhimbje nga ana e dy vajzave.
“Kur vdiq vëllai unë kam shkuar i pari në Përmet nga Tirana. Dhe vajzat nuk është që ndjenin ndonjë gjë, e dënonin veprimin. Dhe nuk gjendeshin tek koka e babait, por tek kisha me shokët dhe shoqet. Erdhën grup, por jo me një dhembshuri që ndjen një njeri të zakonshëm”, thotë ai.
Xhaxhai është shprehur se ai tentoi ta nxirrte Anisën nga dhoma, gjatë një vizite në shtëpinë e familjes Josifi në Kombinat, por u has me rezistencën e së ëmës, Zhanetës, e cila nuk pranoi duke u shprehur se unë duhet të shikonte punën e tij. Ky veprim u bë për ta larguar. Kërkesa e Dhimo Josifit vazhdon të jetë shkëmbimi i shtëpisë ku ndodhi tragjedia në Kombinat me një banesë pranë zonën ku jeton ai me familjen.