Prej ditës së djeshme është bërë publik lajmi për sekuestrimin e 60 % të aksioneve të televizionit Agon Channel. Ndërkohë që pronari Francesco Becchetti është shpallur në kërkim, tashmë është në pikëpyetje fati i një sërë personazhesh analistësh të njohur, të cilëve iu ofruan oferta joshëse për të qenë pjesë e stafit të Agon.
Po çfarë do të ndodhë më këta gazetarë e analistë, që kanë mbajtur transmetimet e televizionit Agon Channel nga mëngjesi deri në darkë, në momentin që thuhet që televizioni do të mbyllet?
Figura të rëndësishme si Sonila Meço, Adi Krasta, Saimir Kodra, Andi Bejtja, Gentjan Zenelaj, Fatos Lubonja etj (shfletoni galerinë), të cilët jo vetëm janë rekrutuar nga Becchetti dhe kanë punuar në këtë televizion por kanë qënë punonjës besnik, madje mund të konsiderohen si shtyllat e Agon Shqipërisë. Mjaft të kujtojmë se këta gazetarë kanë mbajtur një sërë emisionesh nga mëngjesi deri në orët e vona të darkës, pa harruar që disa prej tyre kanë edhe transmetime dhe emisione në fundjavë. Duhet thënë se këta emra të njohur të medias kanë nënshkruar kontrata me paga shumë të mëdha, të cilat i kanë bërë të sakrifikojnë punë, privilegje si dhe marrëdhëniet e tyre me mediat e tjera për pozicionin dhe punën në Agon Channel.
Ndaj mbetet një dilemë shumë e madhe se çfarë do të ndodhë me këto figura të rëndësishme, ndërkohë që një tjetër dilemë e madhe por ndoshta më pak e rrezikshme është edhe për figurat e njohura italiane si Sabrina Ferilli apo Simona Ventura. Në fakt dilema lidhet direkt edhe me imazhin e tyre, të cilat pranuan të punonin për një televizion dhe një pronar që nuk e njihnin dhe të jetonin në Shqipëri, një vend thuajse i panjohur për to. Mesa duket Ventura dhe Ferilli nuk i thanë dot jo ofertave të Becchetti-t. Prezantueseve të njohura italiane do t’ju duhet ndër të tjera të përballen edhe me televizionet italiane dhe median atje për shkak të zgjedhjes së tyre për të qënë imazh në Agon Channel.
Por ndërkohë pyetja tjetër e madhe është se çfarë do të ndodhi me punonjësit e tjerë, ata të cilët u larguan kryesisht nga puna në shumë televizione e tjera duke djegur ofertat dhe pagat e mëparshme. Nuk duhet harruar se ata janë njërëz që i duhet të mbajnë familjen me punën e tyre si teknikë, kameramanë, montazhierë, shoferë, etj, të cilët zgjodhën të lënë punën në televizionet e tjera vetëm për 5.000 apo 10.000 lekë më shumë.
Ndoshta kjo pyetje duhej bërë përpara se ata të punësoheshin nga Agon Channel por ndonjëherë dëshira e mirë, tregu i parregulltë mediatik, vonesat e pagesave, shpesh edhe mungesa e lirisë së shprehjes duket se i ka shtyrë këta punonjës të pranojnë ofertat e një pronari të ri, nga milionat e të cilit do të tundoheshim edhe unë, edhe ti, e ndoshta të gjithë!/Anabel.al//