Një pjesë e madhe e bizneseve janë hapur në vendin tonë, pas mbylljes gati dy mujore për shkak të pandemisë. Nga java e ardhshme priten të hapen dhe baret e restorantet, nën masa të rrepta distancimi. Megjithatë deri më tani nuk ka informacion se ç’do të ndodhë me palestrat.
Kjo pasi ato konsiderohen vende me rrezikshmëri të lartë për përhapjen e koronavirusit, jo vetëm për shkak të grumbullimit të njerëzve. Nëse në ambiente të tjera mund të mbahen maskat dhe dorezat me lehtësi, kjo gjë nuk vlen për këtë aktivitet. Për shembull mbajtja e maskave do të vështirsonte shumë fymëmarrjen e njerëzve gjatë ushtrimit apo aktiviteti fizik.
Eugena Tomini, shefe e “Sektorit të Survejancës së Sëmundjeve Infektive” në ISHP, u shpreh në “Opinion” se në palestra do të jetë shumë i rëndësishëm distancimi fizik. Ajo bëri me dije se nuk ka ende një datë për hapjen e tyre, por është duke u studiuar se kur mund të nisin aktivitetin dhe me çfarë kushtesh.
Në palestra duhet që të jetë 1 përson çdo 3 metra katrorë dhe njerëzit duhet të jenë 2 metra distancë fizike nga njëri-tjetri. Tomini tregoi se duhet të ketë distancë edhe me trajnerët, një distancë kjo që duhet mirëkuptuar nga të dyja palët. Problem mbetet përdorimi i veglave dhe dezinfektimi i tyre, pasi përdoren nga shumë persona thuajse në të njejtën kohë. /News31.al