Pas një viti e gjysmë studentët u rikthyen sot në auditore. Por, viti i ri akademik ka nisur me protesta për shkak të procedurës së vaksinimit që kërkohet. Në disa fakultete, studentët janë revoltuar sepse autoritetet kanë kontrolluar secilin prej tyre. Unioni i Këshillave të Studentëve ka kërkuar nga Ministria e Arsimit që të gjejë një zgjidhje për studentët që nuk kanë kryer vaksinën.
Mbrëmjen e sotme kryeministri Edi Rama ka deklaruar se studentët e pa vaksinuar nuk duhet të futeshin në autditore sot. I ftuar në “Now”, Rama tha se pranimi apo mospranimi i tyre në auditore është në duart e universiteteve pasi janë autonomë. Rama shtoi se qeveria nuk mund të dërgojë njerëz e të nxjerrë jashtë studentët.
“Nuk besoj se është e nevojshme të kalojmë në masa të tilla ekstreme. Duhet menduar në mënyrë pozitive. Duhet menduar që, duke qenë se vaksinat do të vijojnë të jenë në dispozicion, do të vaksinohen. Normalisht ata nuk duhet të marrin pjesë, por kjo është një çështje e autoriteteve sepse qeveria nuk çon dot njerëz për t’i nxjerrë jashtë. Universitetet janë autonomë. Ata që janë vaksinuar kanë të gjithë të drejtën që të jenë në një mjedis të sigurtë, ministria e Arsimit duhet të shkojë të nxisë studentët,”- tha Rama