Një edukatore në çerdhen 11 në Laprakë ka dalë pozitive me covid-19.
Në datën 12 Qershor, ditën e Premte, në momentin e paraqitjes në punë, në zbatim të protokollit të masave për parandalimin e përhapjes së COVID-19, në çerdhen nr.11 ajo u konstatua me temperaturë.
Njoftohet se që nga ajo ditë, punonjësja nuk është lejuar në mjediset e punës dhe është karantinuar në banesën e saj. Pas raportimit të rastit është kryer edhe tamponi.
Ndërkohë për çerdhen në fjalë pritet një vendim nga Inspektoriati Shtetëror Shëndetësor, që vë në dijeni Drejtorinë e Çerdheve dhe Kopshteve për masat që duhen marrë.