Reperi i njohur shqiptar, Capital T, ka njoftuar përmes rrjeteve sociale se është bërë viktimë e grabitjes, ku i është thyer makina dhe i është vjedhur një laptop. Si pasojë e këtij akti të papritur, artisti ka humbur jo vetëm vlera materiale, por dhe pamjet e projektit të tij më të ri, i cili ishte planifikuar të publikohej sot.
Capital T shprehet se përtej dëmit material, humbja më e madhe ka qenë përmbajtja e rëndësishme që ndodhej në laptopin e vjedhur. Projekti “Pi raki”, i cili ishte në fazën përfundimtare të përgatitjeve për publikim, tani është i pamundur të dalë në dritë sipas planifikimit fillestar.
Reperi ka shprehur keqardhjen e tij për situatën dhe ka kërkuar falje nga fansat për vonesën në lansimin e projektit. Ai gjithashtu ka shprehur shpresën se do të mund të rikuperojë materialin përmes iCloud, duke e bërë të mundur publikimin e projektit brenda disa ditësh.
“Për momentin e kemi të pamundur të publikojmë projektin. Më vjen shumë keq. Besoj për dy ditë, do lansohet, ose shpejt do ju njoftoj për datën e radhës. Ju kërkoj shumë falje dhe faleminderit shumë për përkrahjen,” është shprehur Capital T.
Kjo ngjarje jo vetëm që ka dëmtuar planin e reperit për të ardhmen e afërt, por edhe ka nxitur një valë mbështetjeje nga fansat dhe ndjekësit e tij në rrjetet sociale, të cilët shprehin solidaritetin e tyre me artistin në këto momente të vështira.