Gjermania me shumë gjasa do të jetë shteti i parë i madh europian që do të rifillojë aktivitet sportive duke nisur nga futbolli me Bundesligan që pritet të rifillojë në datën 9 maj por në kushte të rrepta sigurie, Rregullat do të jenë vërtet strikte madje disa prej tyre janë edhe pikante dhe po tërheqin vëmendjen e mediave botërore.
“Një futbollist nuk mund të bëjë seks, madje as nuk mund të puthë partneren e tij, nëse ajo ka simptoma që mund të jetë me koronavirus, – shkruhet në librin e rregullave, – nuk do të ketë shërbim në dhomë për lojtarët, kur ata të jenë nëpër hotele”.
Po ashtu, futbollistët e Bundesligës nuk duhet të kujdesen e të përgjigjen vetëm për veten, në lidhje me ruajtjen nga sëmundja, por edhe për familjarët. Kontakti nëpër stërvitje duhet të jetë sa më i vogël që të jetë e mundur, ndërsa mbledhjet e trajnerit me ekipin duhet të bëhen në salla sa më të mëdha, që lojtarët të kenë mundësi të rrinë larg njëri-tjetrit.
Stadiumet do të duhet të dezinfektohen me kujdes përpara ndeshjeve, po ashtu edhe hotelet ku do të qëndrojnë ekipet. Në një stadium, gjatë ndeshjes, mund të lejohen deri në 300 vetë, nga të cilët do të jenë skuadrat dhe stafet teknike, arbitrat, 4 agjentë policie, 10 gazetarë, 4 djem për të kapur topat, 8 punëtorë fushe dhe 50 roje të sigurisë.
Gjermania vazhdon të jetë në izolim të pjesshëm për shkak të koronavirusit, ndërsa janë raportuar mbi 156 000 të sëmurë, si dhe mbi 5 800 humbje jete.