Brenda vitit do të strehohen në banesat e reja të rindërtuara 900 familje, 500 në bashkinë e Durrësit dhe 40 në Tiranë.
I ftuar në Komisionin e Ekonomisë për të raportuar mbi procesin e rindërtimit, ministri Arben Ahmetaj tha se në fund të nëntorit përfundon puna edhe për hapjen e themeleve të pallateve që do të strehojnë familjet e dëmtuara nga tërmeti.
Prioritet në strehim do të kenë familjet në nevojë dhe më pas ndarja e shtëpive do të bëhet me short nga Këshilli Bashkiak.
Ahmetaj tha se buxheti i rindërtimit për vitin e ardhshëm bashkë me grandet kap një vlerë prej 460 milionë dollarësh.
Aktualisht janë 8 mijë familje që kanë mbetur të pastrehë nga dëmet e tërmetit të 26 nëntorit.