Katari përuroi mbrëmjen e kësaj të hëne stadiumin e ri që do të presë ndeshjet e Kampionatit Botëror të futbollit në vitin 2022.
Përurimi u bë virtualisht në internet për shkak të pandemisë coronavirusit. Education City, hapja e të cilit është shtyrë për shkak të certifikimit, është stadiumi i dytë nga 7 që janë gjithsej që është bërë gati për të pritur turneun më të rëndësishëm të futbollit që do të zhvillohet pas 2 vitesh e gjysmë. Gjatë muajit prill në Katar u konfirmuan raste me Covid 19 në 3 stadiume që ishin në rikonstruksion dhe kjo rriti vështirësitë në marrjen e masave për parandalimin e përhapjes së coronavirusit mes punëtorëve që punonin dhe jetonin në zonat përreth.
Në përurimin virtual të Education City mori pjesë edhe presidenti i FIFA nëpërmjet një videomesazhi duke theksuar se stadiumi i ri i kujton të gjithë botës se futbolli do të kthehet. Stadiumi i përuruar e ka marrë emrin ‘Education City’ për shkak se rrethohet nga kampuse të kërkimeve dhe universiteteve. Në këtë impiant do të zhvillohen ndeshjet e Kupës së botës deri në fazën cerekfinale. Pas përfundimit të evenimentit 40 mijë stola do të jepen për ndërtimin e stadiumeve në vendet në zhvillim. megjithatë gjërat nuk kanë shkuar lirshëm për organizatorët e Kupës së Botës të katarit mbi të cilët u ngritën dyshime rreth trajtimit të punëtorëve të huaj në ndërtimin e stadiumeve.
Kur kanë mbetur edhe 2 vjet e gjysmë nga starti i Botërorit, Katari ka përuruar tashmë stadiumin e ri Al Janoub me një kapacitet me 40 mijë vende si dhe stadiumin e rikonstruktuar Khalifa International.