Shumë emra janë diskutuar, shumë vajza të ekranit e kanë dëshiruar të jenë pjesë e programit më të ndjekur të dashurisë. Por siç ka ndodhur gjithmonë me këtë program, në momentin e fundit vjen surpriza e madhe. Dhe kësaj here emri i prezantueses është vërtetë i tillë, një “big surprizë”, sepse nuk u përfol asnjëherë dhe ajo vetë nuk është shprehur, deri më tani, nëse e dëshironte apo kishte ambicien të drejtonte “Për’puthen”, këtë sezon.
Prezantuesja e re është një nga vajzat më të komentuara të showbizit dhe që di gjithmonë si ta marrë vëmendjen e mediave me natyrshmërinë e saj. Jeni gati ta zbulojmë?! Megi Pojani do të drejtojë sezonin e ri të “Për’puthen” në Top Channel. E kontaktuar nga Top Channel, moderatorja dhe showgirl-i, konfirmon se ky sezon nën drejtimin e saj do të jetë “zjarr”:
Isha në mes të stërvitjes me forcat speciale dhe u fsheha pas një kaçubeje vetëm për t’ju thënë që lajmi është i vërtetë. I repeat-lajmi është i vërtetë, duhet të shkoj tani. Gotta go! Zbrazni karikatoret e puçjeveeee.
Megi vjen në “Për’puthen’ pas eksperiencës së suksesshme në prezantimin e Big Brother Vip Fan Club”, ku spikati për spontanitetin dhe komunikimin pa filtra, ç’ka e bëri të dashur për publikun. Emrat që përfliteshin në media shkonin sa te Kiara Tito, sa te Efi Dhedhes dy vajzat që krijuan një marrëdhënie paksa “tërhiq e mos e këput” pas daljes nga shtëpia e BBV 2 me njëra-tjetrën por siç thotë dhe autorja e programit Olsa Muhameti, Top Channel gjithmonë surprizon:
Prezantimi i Për’puthen është kthyer tashmë në një trampolinë të mirë për të bërë karrierë në Top Channel! E sa duket kjo e ka bërë këtë pozicion kaq shumë të kërkuar nga vajzat e ekranit dhe showbizit! Publiku këtë sezon ka qenë tifozi i shumë emrave, por si gjithmonë Top Channel suprizon dhe jam entuziaste që Megi Pojani do të prezantojë këtë sezon të pestë të Per’puthen!