Bora Zemani, prezantuesja e njohur shqiptare, ka ndarë një moment reflektimi me ndjekësit e saj në Instagram, duke kujtuar njëvjetorin e filmit të saj të parë, “5 Herë Jo.” Në postimin e saj, ajo ka ndarë disa foto të veçanta nga backstage, ku shfaqet së bashku me partnerin e saj në film dhe në jetë, Donald Veshaj.
Në statusin e saj, Bora tregon emocionet dhe sfidat që ajo dhe ekipi i filmit kanë përjetuar gjatë realizimit të projektit. “Një vit më parë, ishim të pushtuar nga emocionet, pasiguria dhe frika, sepse ndjenim përgjegjësinë e të drejtuarit një projekti kaq ambicioz,” shkruan ajo, duke theksuar se përvoja e tyre në fushën e kinematografisë ishte e kufizuar, por dëshira për të sjellë një komedi romantike që do të pëlqehej nga publiku ishte e madhe.
Bora gjithashtu vlerëson ekipin fantastik me të cilin punoi dhe thekson se shpërblimi më i madh për ta ishte vlerësimi dhe dashuria e publikut. “Sot, një vit më vonë, kujtoj me krenari çdo skenë, çdo emocion, çdo sfidë dhe çdo duartrokitje që përjetuam gjatë këtij rrugëtimi,” përfundon ajo.
Filmi “5 Herë Jo” ishte një sukses i madh në Shqipëri, dhe duket se për Bora Zemanin dhe Donald Veshajn, ky projekt ka qenë një përvojë e paharrueshme, si në ekran ashtu edhe në jetën e tyre personale.