Një bllok shënimesh me shkrim dore ku vajzat që prostituonin shënonin oraret e shërbimit dhe gatishmërinë, si dhe dëshmia e këtyre vajzave, janë provat më të forta që Policia e Tiranës ka ndaj 35-vjeçarit Fatjon Hyka, i vënë në pranga për përshtatjen e një qendre masazhesh për prostitucion.
Vajzat kanë treguar në dëshminë e tyre se shërbimet ndaheshin në akte seksuale të plota dhe akte seksuale orale dhe kishin çmime të ndryshme.
Gjatë dëshmisë paraprake 35-vjeçari ka mohuar të kishte dijeni për çfarë ndodhte në qendër dhe ka rrëzuar akuzat e Policisë, megjithatë një prej vajzave në dëshminë e saj është shprehur se ka qenë 35-vjeçari që i ka kërkuar t’i ofronte klientëve dhe miqve të tij këto shërbime.
Qendra nxirrte njoftime online në faqet e njoftimeve për punë, ku kërkonte vajza për masazh, teksa kriter i vetëm ishte mosha mbi 18 vjeç.
Pas nisjes së punës, vajzave iu kërkohej dhe kryerja e shërbimeve seksuale. Ajo që bie në sy nga rrëfimet e vajzave është që ato kanë pranuar t’i kryejnë këto shërbime.
Hetuesit thanë që skema e prostitucionit në qendrat e masazheve është e njëjtë, ndërsa më pjesën më të madhe të rasteve, Policia ka rënë në dijeni të tyre dhe ka nisur hetime pas denoncimeve anonime, por edhe personave që kanë qenë të përfshirë.
Ndërkohë gjykata e ka lënë në burg 35-vjeçarin. Ai ka mohuar akuzat para gjykatës. Mbrojtja e tij tha se ai është person korrekt pasi është mësues dhe nuk e dinte se çfarë ndodhte brenda qendrës së masazheve.