Ndodh rrallë që Blendi Fevziu të ndalojë emisionin e tij “Opinion”, madje e kemi parë që ta nisë dhe ta vazhdojë edhe kur ka pasur mungesë te të ftuarit. Megjithatë mbrëmjen e djeshme ai e ka pezulluar atë për më shumë se 15 minuta, në pritje për të sqaruar juridikisht një çështje të ngritur gjatë diskutimit lidhur me veprimet e fundit të presidentit Meta, në zyrën e FRD.
Ka qenë nënkryetari i LSI Luan Rama që ka ngritur një objeksion për pjesëmarrjen në panel të zotit Blendi Gonxhe, i cili qëndronte përballë tij dhe po debatonte me të. Sipas Ramës, prania e zotit Gonxhe ishte e paligjshme, për faktin se Kodi Zgjedhor e ndalon pjesëmarrjen e përfaqsuesve të administratës në debate publike, ku janë pjesë subjekte apo përfaqësues të partive politike.
Në këtë moment Fevziu ka kërkuar të ndërpresë emisionin ose anulimin e tij, deri në sqarimin zyrtar të situatës, pasi nuk do të organizonte një debat kundër ligjit. Pas 15 minutash, kur ka marrë një konfirmim zyrtarisht nga KQZ, që pjesëmarrja e zotit Gonxhe nuk ishte e paligjshme, emisioni “Opinion” ka vijuar normalisht.
Ndërkohë moderatori i njohur është shprehur se në studion e tij, nuk do të ketë deri në 25 Prill persona të përzgjedhur nga partitë politike apo që i dërgon partis.
Pjesë nga diskutimi në studio, që solli ndërprerjen e emisionit:
“Blendi Fevziu: A do ta mbyll? E mbyllim po deshët se kam gati emision tjetër?
Luan Rama: Dua unë të jem korrekt me ligjin.
Blendi Fevziu: Do ta lëmë?
Luan Rama: Jo nuk do ta lëmë, unë dua të bëjmë debat.
Blendi Fevziu: Po si do ta bëjmë debatin, 3 me 1?
Blendi Gonxhja: Unë jam përfaqësues politik, sepse emërohem direkt nga Kryeministri. Në një farë më mënyre nuk jam përfaqësues i PS.
Blendi Fevziu:Përfaqësuesit e partive që sot, që vijnë me leje partie dhe unë nuk e di se kë më sjell partia, nuk i pranoj më. Unë po marr njerëz që kanë bindjet e tyre politike, kanë angazhimet e tyre politike, mbrojnë kauzat e tyre, por nuk i marr si përfaqësues partie. Mund të mbaj balancën e opinioneve për këtë dal garant, por përfaqësues partie që sjell partia derr në thes, këtë nuk e bëj. Do ta mbyll debatin, s’ka problem.
Luan Rama: Mos ma keqkuptoni objeksionin tim.
Blendi Fevziu: Gonxhe do të largohesh? I jap Maznikut gjithë kohën
Blendi Gonxhja: Nuk gjej dot një zëvendësues për ju, pa une…”