Blendi Fevziu ishte i ftuar mbrëmjen e djeshme në Top Albania Radio, në programin “Pardon My French”, ku ndër të tjera foli për qytetin e tij Tiranën, por edhe shumë gjëra që ka zbuluar nga Shqipëria së fundmi, udhëtimet, pandeminë Covid-19, politikën dhe sigurisht për “Opinion”.
Në lidhje me punën për emisionin që tashmë vazhdon prej 24 vitesh, Fevizu tha për Jonida Aliçkollin dhe Kejvin Kalon se suksesi i tij, është edhe për shkak të faktit që vetë gazetari vazhdon e bën me shumë dëshirë dhe ndjen kënaqësi nga kjo punë.
“Po bëj stilin e jetesës që kam ëndërruar, një punë që e kam dashur gjithmonë”- u shpreh Fevizu, ndërsa tregoi se në momentin kur nuk do ta ndjejë më këtë, ndoshta kjo do vihet re edhe në emision dhe mënyrën si realizohet.
Ndërkohë ai u pyet edhe për vështirësitë që ka hasur gjatë programit, duke qenë se i duhet të moderojë panele me shumë të ftuar, të cilët ndonjëherë mund të sjellin edhe momente ku mund të nervozohet. Megjithatë duket se kjo ndodh rrallë dhe kur vjen puna tek “Opinion” Fevziu është i ftohtë e dëshiron vetëm që emisioni të shkojë mirë. Ndërkohë ai tregon se nuk e ka fare problem që të ftuarit e tij edhe ta kenë sharë, për sa kohë i duhet në program.
“Në përgjithësi unë nuk jam njeri që nervozohem, unë i kam nervat vetëm në një moment dhe më zgjasin aq edhe i kam nerva shumë të forta. E dyta unë jam në përgjithsi një njeri shumë i ftohtë. Po ta vini re edhe ndaj çfarë thuhet, komente, fjalë, nuk më kanë bërë kurrë përshtypje, biles i ripostoj me qef edhe fjalët që thuhen për mua. Edhe pse kam menduar gjithmonë që ka rëndësi të flasin, ç’rëndsi ka se çfarë do të thonë.
“Unë jam i ftohtë, jam i ftohtë si ndaj emisionit, si ndaj të ftuarit, nuk dua t’ja di fare nëse personat që vinë… se shoh njerëz që më thonë ‘uuu si fton ti këtë, ky të ka sharë’ as më bëhet vonë fare për këtë, në qoftë se më duhet për emision, kjo nuk hyn fare në llogarinë time, s’kam asnjë lloj emocioni as ndaj të ftuarve, as ndaj asaj që ata thonë… Emocioni i vetëm për mua është që të eci mirë emisioni!”- tha gazetari i njohur.