Gazetari Bledi Mane deklaroi se është kërcënuar edhe me jetë, pas shkrimit që bëri kundër Ledion Liços, për mospagim të faturave të energjisë. Në një prononcim dhënë në emisionin “Oktapod” të Turjan Hyskës, Mane tha se për disa kohë as në autobus nuk hipte, për shkak të presioneve.
Duke vënë në dukje se shkrimi ishte më shumë humoristik, Mane pranoi se ka marrë shumë mesazhe, për të cilat është çuditur shumë. Lidhur me një shkrim kundër sekretarit të përgjithshëm të LSI, Luan Rama, Bled Mane këmbënguli se nuk i heq asnjë presje faktit që ka shkruar se Rama i ka kompleks gazetarët, pasi dështoi vetë në të dhe la postin e ministrit, prej tyre.
Edhe pse tashmë është pjesë e administratës, “Public Enemy”, siç ka Mane pseudonimin, theksoi se Rama duhet te largojë menjëherë ministrat Beqaj dhe Cani, pasi ata kanë dështuar në kabinetet që drejtojnë.
Mane tha se Edi Rama gënjen që nuk lexon gazetat, pasi vetë pranon të komentojë çfarë shkruajnë analistë të ndryshëm. Sipas tij, Rama është arrogant dhe ka një rënie në imazhin e tij në publik.
Përsa i përket Drejtoreshës së Tatimeve, Briseida Shehaj, Bled Mane e quan të dështuar në punën e saj, duke theksuar se është e vetmja që nuk e pranon origjinën përmetare, pasi do të duket si tepelense.
Bled Mane është pro një kryeministreje femër, duke parë vetëm Majlinda Bregun si të vetmen të mundshme, pasi sipas tij, mes maxhorancës nuk gjen asnjë figurë të denjë femërore.
Lidhur me një kandidim të përfolur të tij në krye të Bashkisë së Përmetit, Mane tha se ishte diçka që e ka plagosur shumë, por që tani e ka kaluar.
Marre nga albeu