Çfarëdolloj pyetje që të doni, në cilindo moment, Bjordi është gati të përgjigjet me detaje për marrëdhënien që po jeton me profesionin e tij. Sapo ka mbaruar xhirimet e serialit “HOT” që u shfaq në Tv Klan dhe është i kënaqur. Tashmë kjo marrëdhënie aspak e fshehtë që ai ka me regjinë është konsoliduar dhe Bjordi Mezini e di se çfarë do. I ka idetë e qarta që rruga e tij është kjo, që Tirana në veçanti dhe Shqipëria në përgjithësi mund të bëhen një terren shumë i mirë artistik. Mbase Bjordi është optimist. Mbase ne kemi nevojë për dikë si ai që është “i ardhur” për të na bërë ta shohim vendin tonë nga një këndvështrimin i ri. Siç thotë ai “jemi ‘të rinj’ dhe sapo kemi dalë në botë. Dhe nëse ke rininë, ke botën në dorë”. Sa për botën e tij, Bjordi Mezini nuk ka pikëpyetje: ca vite të tjerë në Tiranën që po e shijon shumë, vazhdimin e serialit HOT, punë e këmbëngulje për të kaluar në nivelin tjetër, ndonjë rol të vogël sa për qejf dhe shijimin e asaj që ai e quan famë nga veprat e tij. Sepse siç e shpjegon ai, popullariteti dhe fama e dikurshme që i erdhi me aq bujë nga ekrani, nuk ishte fama e vërtetë. Ja përse iu largua pikërisht kur e kish me shumicë. Djalë me këmbë në tokë Bjordi. Veçse edhe ai e di se të gjithë duan të rrëmojnë përherë e përherë në jetën e tij, duke e kujtuar përherë ai personazhin e dikurshëm. Por jo. Në këtë pikë Bjordi nuk lëshon pe. Dhe është shumë këmbëngulës të flasë e të tregojë për dashurinë e tij të madhe që është puna e regjia. Por mos e pyesni për atë tjetrën. Ai nuk ka ndër mend të flasë më për dashuritë e tij me vajzat. Madje duket i penduar që e ka bërë. E përveç kësaj, është kaq e komplikuar!
Bjordi, pasi mbaruan xhirimet, postproduksioni, seriali u shfaq, reagimi i publikut u mor, tani të takon ty t’i vësh vulën: ishte “Hot” një produkt i mirë televiziv?
Nëse “HOT” ka arritur të bëjë publikun të afeksionohet me personazhet, të ndjekë historinë dhe ka arritur të japë njëfarë emocioni, atëherë po, mendoj se ky serial ia ka arritur qëllimit dhe po, është një produkt i mirë televiziv.
Ishte ky një moment thelbësor në karrierën tënde?
“HOT” është pa dyshim projekti më i madh për të cilin kam punuar dhe sfida regjisoriale më e vështirë deri tani për mua. Sigurisht që ky është një moment thelbësor në karrierën time, por edhe në jetën time.
Do kishe dashur të rregulloje diçka nga gjithë ky produksion goxha i madh televiziv?
Natyrisht tani që sezoni i parë ka përfunduar, ne mund të ulemi dhe të analizojmë se cilët elementë duhet të përmirësohen dhe si. Unë jam shumë kërkues kur bëhet fjalë për punën time, kështu që kërkoj gjithmonë të rregulloj çdo gjë.
Çfarë do ndodhë më tej me serialin?
Unë dhe skenaristja jonë, Klaudia, sapo kemi filluar të punojmë me skenarin dhe jemi shumë entuziastë. Personazhet e “HOT” kanë akoma shumë për të treguar dhe mezi pres t’u futem xhirimeve.
Dhe çfarë do ndodhë më tej me ty?
Unë tani do marr pak ditë pushim të mbledh forcat dhe të filloj detyrat e shtëpisë. Do shoh çfarë më duhet të përmirësoj tek vetja dhe tek puna dhe do studioj që të kaloj në nivel tjetër. Nuk e di se çfarë do ndodhë me mua, por di që do punoj fort që çfarëdo lloj gjëje të jetë, të jetë fantastike.
Pas kësaj eksperience, mendon se Shqipëria është terren i mirë për të pasur një karrierë të vërtetë dhe të rëndësishme?
Mendoj se Shqipëria është një terren artistik shumë fertil dhe që jemi vetëm në fillim të lulëzimit të tij. Zëri i Shqipërisë po dëgjohet në të gjitha fushat artistike ndërkombëtare tashmë dhe të dish që je pjesë e kësaj vale të re kulturore shqiptare është shumë stimuluese.
Fitohet mirë nga puna si regjisor? A është ky profesioni me të cilin mund të kesh një jetë të sigurt financiarisht?
Unë kam tashmë tetë vite që punoj si regjisor në nivel profesional dhe mbahem vetëm nga ky zanat, kështu që po, mund të kesh një jetë të sigurt financiare, por ngaqë tregu ynë është akoma pak hibrid, ndonjëherë do të duhet të pranosh edhe punë që mbase nuk të pëlqejnë. Por nëse regjia është vërtet gjëja e vetme që ti do të bësh, atëherë me pak kompromis mund ta kthesh atë në profesion edhe në Shqipëri.
U duk në fillim, në kohët kur ti u shfaqe gjithë bujë në ekran, se po kërkoje famën me çdo kusht dhe kur e pate të plotë, u largove. Të krijohet një përshtypje që ti nuk përfitove plotësisht nga fama e një momenti shumë të shndritshëm televiziv. Çfarë kërkon ti në të vërtetë?
Në fakt, shfaqja ime atëherë nuk ka qenë një kërkesë nga ana ime për famë, sepse kur u futa nuk e kisha idenë se çfarë do më priste kur të dilja. Por mendoj se ka qenë kërkesa e një 20-vjeçari që dëshironte (mbase) një aventurë. Fama erdhi si pasojë, ose më saktë, popullariteti. Gjithmonë kam dashur të theksoj se unë isha shumë popullor, por kjo s’ka lidhje me famën. Fama është diçka që fitohet nga diçka që ti krijon jo për çfarë njeriu ti je. Dhe kjo ka qenë edhe arsyeja pse unë kërkova të largohesha nga ajo vëmendje: Kuptova që të famshëm mund të më bëjë vetëm një punë e mirë dhe për t’u bërë i mirë kisha nevojë të sakrifikoja popullaritetin. Tani shijoj vetëm famën që fitoj nga veprat e mia.
E ke bërë të kuptueshme që ty të pëlqen më shumë të qëndrosh pas kamerave. Ama edhe si aktor ke pasur eksperienca të suksesshme. Ku mbaron aktori dhe ku fillon regjisori tek ty?
Aktori mbaron shumë shpejt këto kohë të fundit sepse regjia më kërkon një nivel përqendrimi shumë të madh dhe unë, duke qenë se dua të thellohem në maksimum në atë që bëj, nuk i futem fare. Por nuk i dihet kurrë. Një rol i vogël, nëse ia vlen, është gjithmonë argëtues.
Çfarë synon të arrish dhe ku?
Unë synoj maksimumin. Dua të thyej çdo limit timin dhe të bëhem versioni më i mirë i mundshëm i vetes sime. Se ku, nuk ka rëndësi, bota është shumë e madhe, por edhe shumë e vogël sot. Mendoj se nëse do që zëri yt të dëgjohet, atëherë ngrije mjaftueshëm dhe dikush, diku, do ta kthejë kokën.
Deri tani ke pasur projekte të ndryshme televizive në Shqipëri. Ke ardhur, ke ikur, ke ardhur prapë. Ku jeton ti në të vërtetë?
Tashmë kam 3 vjet që u riktheva në Tiranë dhe ndihem mirë këtu. Ky qytet ka një efekt shumë frymëzues mbi mua dhe mendoj se do qëndroj akoma ca kohë.
Çfarë të pëlqen këtu në Shqipëri?
Më pëlqen “kaosi i organizuar” i Tiranës. Më pëlqen natyra mbresëlënëse dhe më pëlqen ideja që jemi “të rinj” dhe sapo kemi dalë në botë. Dhe nëse ke rininë, ke botën në dorë.
Çfarë i shijon dhe çfarë i urren Tiranës?
Shijoj çdo gjë, veç trafikut. Realisht, njerëzit më shohin çuditshëm kur e them, por unë kam jetuar në shumë qytete të bukura dhe vërtet e shijoj Tiranën në maksimum me të mirat dhe të këqijat e saj.
Me kë jeton?
Jetoj vetëm, me një mace të bukur.
E ke shprehur qartë që nuk do t’i drejtosh prozhektorët nga jeta private. Të vjen keq që publiku është shumë i etur të dijë më shumë për historitë e tua të dashurisë?
Nuk më vjen keq sepse është diçka e kuptueshme, pjesa e popullaritetit tim erdhi edhe nga historia ime e dashurisë e asaj kohe, kështu që është normale që njerëzit do më shohin gjithmonë me atë sy. Por kjo ka sjellë si pasojë një bllokim nga ana ime karshi këtij interesimi pikërisht sepse në rastin tim ka qenë shumë “agresiv”. Sot kuptova se disa gjëra është mirë mos t’i ndash me publikun.
Dhe meqë jemi në këtë pikë, vazhdon të jesh ende në një periudhë të komplikuar? A je momentalisht në një lidhje dashurie?
Momentalisht që flasim, akoma s’më besohet që kam mbyllur serialin dhe dashuria më duket një koncept shumë abstrakt. Dhe po. Shumë komplikuar (qesh).
Ke pasur lidhje dashurie me vajza italiane? Ku ndryshojnë ato nga vajzat shqiptare?
Duke qenë se kalova në Itali gjysmën e jetës time, po, kam pasur disa lidhje (qesh). Unë mendoj se bukuria e vajzave qëndron pikërisht tek fakti që ato janë të gjitha të ndryshme nga njëra-tjetra, pavarësisht nga vendi nga ato vijnë. Por nëse do më duhet të veçoj një karakteristikë, besoj që vajzat shqiptare në krahasim me ato italiane, e kanë situatën më shumë nën kontroll kur bëhet fjalë për marrëdhëniet në çift.
Ti si i rritur në Itali, je ndryshe nga të rinjtë e Tiranës?
Unë jam ndryshe vetëm në formimin shkollor dhe në aksent. Më pëlqen të mendoj që ndaj me ta të njëjtat vlera.
Çfarë sheh ti në televizor?
Zakonisht në ekranet e shtëpisë time shfaqen vetëm filma dhe seriale nga platforma streaming të ndryshme, por kohët e fundit kam filluar të shoh ndonjëherë edhe televizione gjeneraliste. (Shumë rrallë).
Kë do vlerësoje si prodhimin më të mirë kinematografik të kohëve të fundit?
Sapo pashë filmin e fundit të Paolo Sorrentino në Netflix “È stata la mano di Dio” dhe e dashurova.