Që nga rënia e regjimit komunist në Shqipëri më shumë se dy dekada më parë dhe lindjes së medias së pavarur që i hapi rrugë një epoke të re në gazetari, marrëdhënia mes gazetarëve dhe politikanëve në Shqipëri ka qenë gjithmonë e mbushur me tensione.
Në këtë marrëdhënie armiqësore, elita politike vendase ka treguar shumë pak tolerancë ndaj gazetarisë së pavarur dhe kompanive të medias dhe ka bërë gjithçka që ka mundur për të kontrolluar raportimet. Në vitet 1990, presioni mbi median nga qeveria ishte e drejtpërdrejtë, ndërsa gazetarët sulmoheshin nga shërbimet sekrete e madje edhe burgoseshin. Gazeta e pavarur “Koha Jonë” u dogj në mars të 1997.
Gjithsesi, taktika të tilla të rënda i dhanë politikanëve vendorë një reputacion ndërkombëtar si armiq të shtypit dhe i detyruan ata të ndryshojnë modelin drejt metodave më të sofistikuara, të cilat synuan të ndikojnë median përmes korruptimit të pronarëve me kontrata qeveritare, tenderë privatizimi dhe leje fitimprurëse ndërtimi.
Të mirat e ofruara nga qeveria për oligarkët që investuan në media, krijuan një treg në lulëzim me dhjetëra media në shtyp dhe në televizion. Këto media shpesh shfaqën një anësi të fortë politike në raportimet e tyre, gjë që varet nga interesat ekonomikë dhe politikë të pronarëve. Për shkak se këto interesa janë vazhdimisht në ndryshim, gazetarët shtyhen drejt vetëcensurës.
Gazetarët që i rezistojnë presionit shpesh përballen me agresion të drejtpërdrejtë verbal dhe kërcënime që vijnë nga nivelet më të larta të pushtetit, të cilat synojnë të testojnë vendosmërinë e gazetarëve dhe të heqin vëmendjen e tyre ndaj raportimeve kritike.
Sipas raportit vjetor “Liria në Botë” publikuar nga organizata ndërkombëtare mbikëqyrëse me bazë në SHBA “Freedom House”, ish-kryeministri i qendrës së djathtë Sali Berisha rregullisht ‘denigroi’ median dhe gazetarët kur ishte në pushtet. Berisha në një rast quajti gazetarët një tufë ‘idiotësh ekonomikë’ kur u pyet për gjendjen e vështirë të financave të vendit ndërsa rregullisht cilësoi gazetarët kritikë si anëtarë të një ‘organizate kriminale’.
Në pushtet nga viti 2005 deri më 2013, Berisha përdori terma të tilla si “media e krimit”, “hanxhari i krimit”, apo “media e opozitës” dhe “mafia e betonit”, shpesh në përgjigje të pyetjeve mbi skandalet e korrupsionit të qeverisë, të cilat mbërritën në rrethin e tij të ngushtë dhe familjar. Pas përleshjeve të dhunshme të 21 janarit 2011 në Tiranë, ku katër mbështetës të opozitës u vranë nga Garda e Republikës, Berisha akuzoi katër gazetarë se ishin pjesë e një grushti shteti bashkë me presidentin dhe prokuroren e përgjithshme.
Në mënyrë të ngjashme me Berishën, kryeministri Edi Rama ka qenë po aq agresiv kundër gazetarëve kur është përballur me kritika. Kur ai ishte kryebashkiak i Tiranës nga viti 2000 deri më 2011, ndërsa i përgjigjej një pyetjeje nga një gazetare që ai nuk e miratonte, udhëheqësi socialist në mënyrë famëkeqe sugjeroi se ajo mund të punonte më mirë si prostitutë.
Bota ideale për politikanët shqiptarë është ajo ku media duhet të ndjekë tekstin e prodhuar nga makineritë e tyre të propagandës, e cila prodhohet në video, tekst ose përmes medias sociale dhe i shpërndahet drejtpërsëdrejti publikut. Gjithsesi, jo gjithmonë gazetarët ndjekin tekstin e shtruar para tyre dhe politikanët shpesh i përgjigjen me sharje, të cilat i mbrojnë si opinione personale më shumë se sa si sulme kundër lirisë së medias.
Përballur me pyetje mbi lidhjet e dyshuara të ministrit të tij të brendshëm me një bandë të trafikut të drogës, Rama iu hakërrye gazetarëve në tetor 2017 gjatë një konference të sajuar për shtyp duke i quajtur ata ‘injorantë’, ‘helm’, ‘thashethemexhinj’, ‘sharlatanë’, dhe ‘armiq publik’. Denigrimi i medias shpesh shfaqet në retorikën e Ramës përgjatë viteve të fundit, shoqëruar kjo me një rritje të komunikimit të tij përmes medias sociale për të shmangur pyetjet nga gazetarët.
Berisha dhe Rama nuk janë raste të veçuara në politikën shqiptare. Udhëheqës të tjerë politikë, si presidenti Ilir Meta apo udhëheqësi i opozitës Lulziim Basha kanë përdorur gjithashtu retorikë negative për t’iu përgjigjur raportimeve kritike. Duke iu përgjigjur një investigimi nga Rrjeti Ballkanik për Gazetari Investigative në Shqipëri, e cila ekspozoi se si Lëvizja Socialiste për Integrim kishte paguar gati 300 mijë USD për lobim në SHBA dhe pati deklaruar vetëm një të tretën në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, ish-kryetari i kësaj partie dhe presidenti aktual Ilir Meta iu hakërrye BIRN duke e quajtur atë “Media e Sorosit”. Mediat e pavarura, përfshirë publikimin në internet të BIRN Albania Reporter.al, janë përballur me sulme në rritje të teorive të komplotit anti-Semite të lidhura me filantropistin amerikan George Soros – themelues i Fondacionit për Shoqëri të Hapur. Zëdhënësi i Metës në një deklaratë për shtyp akuzoi gjithashtu BIRN si ‘fake news’ dhe ‘propagandë Soroiste’ pa iu përgjigjur gjetjeve të investigimit.
I zemëruar nga komentet kritike të shkrimtarit dhe komentatorit politik Fatos Lubonja gjatë një debati televizin në News 24, në shkurt 2018, kryetari i Partisë Demokratike iu hakërrye ish-të burgosurit politik si ‘nihilist’, ‘gënjeshtar’ dhe ‘Marksist’.
Disa komentatorë kanë sugjeruar se pas gjuhës së pasur të përdorur kundër medias nga politikanët shqiptarë qëndron një ‘strategji sharjesh’, e cila synon të devijojë vëmendjen e publikut nga skandalet, duke ofruar një spektakël televiziv të gatshëm. Të tjerë e shohin atë si përpjekje për të deligjitimuar një grusht gjithnjë e më të vogël mediash dhe gazetarësh kritikë, të cilët nuk janë të kontrolluar drejtpërsëdrejti nga oligarkët dhe në mënyrë të tërthortë nga Rama, Meta, Berisha dhe klientët e tyre.
Megjithëse vëzhguesit vendas janë të ndarë mbi pyetjen nëse retorika antimedia është një strategji e mirëmenduar abuzimi dhe disinformimi apo është thjesht një reagim, çështja mbetet që politikanët ende duhet të mësojnë të respektojnë parimin e medias së lirë. Në çdo rast, përpjekja për të vendosur etiketën ‘lajme false’ mbi mediat e besueshme apo sharjet e gazetarëve si ‘injorantë’ dhe ‘sharlatanë’ mund të kenë një efekt negativ në rolin e medias në luftën kundër korrupsionit dhe në mbajtjen e vendimmarrësve përgjegjës.
Një kërkim akademik ka treguar se niveli i lartë i lirisë së medias është i ndërlidhur drejtpërsëdrejti me nivelet e ulëta të korrupsionit, dy fusha në të cilat Shqipëria ka nevojë të bëjë progres në mënyrë që të plotësojë shpresat për anëtarësim të shpejtë në Bashkimin Europian.
Përqendrimi i Medias
Kompanitë nën pronësi familjare dominojnë tregun e medias
Pavarësisht shumë mungesave, për shumë vite media shqiptare perceptohej nga kërkuesit si konkurruese dhe relativisht e larmishme – kryesisht për shkak të numrit të madh të mediave që mbulonin një treg të vogël. Gjithsesi, të dhënat e reja mbi audiencën dhe përqendrimin e tregut të analizuara nga skuadra MOM, sugjerojnë se perceptimi i pluralizmit është një mit ndërsa audienca dhe të ardhurat mbeten të përqendruara në duart e pak grupimeve nën pronësi familjare, të cilat dominojnë tregun e medias.
Të dhëna të pabesueshme mbi audiencën
Në Shqipëri ka dy agjenci që ofrojnë kërkime mbi audiencën në tregun e televizioneve, Telemetrix dhe Abacus, ndërsa të dhënat mbi shtypin dhe radion janë të disponueshme vetëm nga Abacus. Për tregun e medias online, e cila ka përjetuar një bum në vitet e fundit me qindra portale lajmesh të hapura, të dhënat nuk janë të disponueshme. Ekspertët vendas të medias ngrenë dyshime se matja e tregut nga dy agjencitë janë të manipuluara në mbështetje të njërit nga dy operatorët e mëdhenj të tregut, “Top Media” dhe “Klan”. Disa stacione televizive u përgjigjën ndaj kërkesës së MOM për informacion dhe pretenduan gjithashtu se nuk ka matje të besueshme të audiencës në vend. Dallimi mes matjeve të audiencës nga Telemetrix dhe Abacus e shënjojnë tregun e televizioneve në Shqipëri si me rrezik të lartë.
Përqendrim i lartë i audiencës në TV dhe Radio
Megjithëse të dhënat e audiencës janë të debatuara, llogaritjet e skuadrës së MOM mbi përqendrimin e audiencës tregojnë se bazuar në të dhënat e Abacus, katër pronarët e mëdhenj (Familja Frangaj, Familja Hoxha, Familja Dulaku dhe Familja Ndroqi) në treg kontrollojnë 48.93% të audiencës, ndërsa bazuar në të dhënat e Telemetrix, katër pronarët më të mëdhenj (Familja Frangaj, Familja Hoxha, Irfan Hysenbelliu dhe Familja Dulaku) kontrollojnë 58,6% të audiencës. Bazuar në metodologjinë e MOM, të dhënat e Telemetrix sugjerojnë një përqendrim të lartë në tregun e televizioneve.
Përqendrimi është gjithashtu i lartë në tregun e radiove, ku katër pronarë (Familja Hoxha, Arben Bylykbashki, Radio Publike dhe Familja Ndroqi) kontrollon 63.96% të audiencës.
Në tregun e shtypit, një pronar i madh (Irfan Hysenbelliu) kontrollon drejtpërsëdrejti 30.22% të audiencës, ndërsa katër pronarët e mëdhenj (Irfan Hysenbelliu, Koço Kokëdhima, Henri Çili dhe Vëllezërit Dabulla) kontrollojnë 43.29% të audiencës.
Përqendrim i lartë në pronësinë e medias
Edhe pronësia mbi sektorë të ndryshëm – TV, shtyp dhe radio – në Shqipëri vlerësohet gjithashtu i përqendruar. MOM llogariti përqendrimin ndërsektorial në bazë të audiencës së ponderuar për shtypin, radion dhe tregun televiziv, gjë që nuk tregon aq shumë fuqinë ekonomike sa ndikimin potencial të pak pronarëve në opinionin publik.
MOM e ka llogaritur përqendrimin ndërsektorial të audiencës bazuar në të dhënat e audiencës së ofruara nga Telemetrix dhe Abacus Research. Edhe pse devijojnë nga njëra-tjetra, të dyja setet e të dhënave tregojnë rrezik të lartë për përqendrim ndërsektorial të audiencës. Në Shqipëri të tetë pronarët e mëdhenj arijnë përmes mediave të ndryshme 72.51% audiencës sipas të dhënave të ofruara nga Abacus dhe madje 80.1% sipas Telemetrix.
Për shkak të mungesës së të dhënave, mediat në internet nuk mund të përfshihen në llogaritjen e përqendrimit ndërsektorial, edhe pse duket se janë shumë të rëndësishme në kuptim të konsumit – edhe më shumë se sa shtypi dhe radiot. Gjithsesi mund të supozohet se, për shkak se mediat online janë seksione të markave kryesore të medias në Shqipëri, kjo mund ta përshkallëzojë edhe më shumë shifrën e përqendrimit ndërsektorial.
Tregu i reklamave
Korporata, kompani të lidhura dhe reklama të fshehta
Në Shqipëri, të dhënat mbi përmasat e tregut të reklamave në media mbështeten në vlerësime, si dhe në raportet financiare të kompanive kryesore mediatike. Sipas vlerësimeve të publikuara nga e përjavshmja ekonomike Monitor në shkurt 2018, i gjithë tregu i reklamave në Shqipëri ku përfshihen reklamat në televizione, shtyp, radio dhe në ambiente të hapura (outdoor), ishte rreth 38.4 milionë euro më 2017 – duke regjistruar një rënie prej 900 mijë eurosh në krahasim me vlerësimin e vitit 2016. Tregu i medias, duke përjashtuar reklamat në mjedis të hapur ishte 35.5 milionë euro më 2017, ku reklamat televizive vlerësohen me 30.4 milionë euro, duke shënuar një rënie të vogël prej 600 mijë eurosh nga vlerësimi i vitit 2016.
Ndërkohë tregu i reklamave në shtyp vlerësohej në 2 milionë euro, radio më 0.7 milionë euro dhe tregu online në 2.4 milionë euro – duke kapërcyer të ardhurat e shtypit për herë të parë në histori. Sipas vlerësimeve të Monitor, tregu i reklamave ka qenë në stanjacion përgjatë pesë viteve të fundit, duke regjistruar një rënie të vogël nga 38.8 milionë euro më 2013 në 38.4 milionë euro më 2017.
Sipas një analize të raporteve financiare të kryera nga skuadra e MOM mbi 8 kompanitë e medias televizive me audiencën më të lartë në treg, bazuar në deklaratat financiare të vitit 2016, më shumë se gjysma e shpenzimeve për reklama i shkojnë tre kompanive të mëdha mediatike “Top Channel”, “TV Klan” dhe “Media Vizion” me vlerë 25.16 milionë USD (20.4 milionë euro). “Top Channel” është kompania më e madhe televizive në vend në termat e pjesës së të ardhurave, me 12.4 milionë USD më 2016, pasuar nga “TV Klan” me 9,1 milionë USD dhe “Media Vizion” me 3.6 milionë USD.
Lidhur me tregun e reklamave të shtypit, bazuar në përgjigjen e “Panorama Group” për skuadrën MOM, e përditshmja “Panorama” pati 840 mijë USD (682 mijë euro) reklama më 2016, ose 34.1% të tregut të vlerësuar të reklamave të sektorit. Një analizë e kryer nga skuadra MOM bazuar në të ardhurat e një kampioni me dhjetë stacione radioje më 2016, të publikuar nga Autoriteti i Medias Audiovizive, AMA, tregon se “Top Albania Radio” dhe “Club FM” kontrolluan 47.8% të të ardhurave të kampionit, të cilat ishin në total 2.3 milionë USD. Të dhënat e mësipërme tregojnë se tregu i vogël i reklamave në Shqipëri, i cili ka qenë në stanjacion përgjatë pesë viteve të fudnit, është shumë i përqendruar në duart e një grupi të vogël kompanish TV, shtyp dhe radio.
Ligji për median audiovizuale ndalon kontrollin e më shumë se 30% të tregut të reklamave nga një kompani që ka licencë kombëtare audio ose audio-vizuale. Gjithsesi, kjo nuk mund të zbatohet lehtë në praktikë për shkak se ligji nuk specifikon se si duhet të matet tregu i reklamave, nëse përqindja i referohet vlerës së reklamave apo kohës televizive të reklamave. AMA ka mandatin të monitorojë respektimin e ligjit nga ana e ofruesve të shërbimeve të medias, por ata e masin volumin e reklamave në minuta. Nuk ka institucion përgjegjës për monitorimin e reklamave shtetërore.
Monitorimi i kohës së reklamave për 11 muajt e parë të vitit 2017, hapësirës së reklamave të shtypit dhe pikselët e blerë nga reklamuesit e ndryshëm në TV, shtyp, online dhe radiot e monitoruara nga IDRA Media – një kompani kërkimore në fushën e medias, tregojnë se një grup i vogël kompanish të mëdha telekomunikacioni dominojnë tregun e reklamave në Shqipëri. Tri reklamuesit më të mëdhenj në tregun e medias në Shqipëri sipas IDRA Media janë operatorët celularë ‘Vodafone’, ‘Telekom’ dhe ‘Albtelekom’, të cilat pasohen nga korporata ndërkombëtare të tilla si ‘Procter and Gamble’ dhe ‘Coca Cola’.
Përmasat e vogla të tregut të reklamave dhe pjesa e madhe e një grushti kompanish telekomunikacioni do të thotë se ka pak raportim kritik mbi aktivitetet e tyre në televizionet apo gazetat vendëse. Kur Autoriteti i Konkurrencës gjobiti dy kompanitë e mëdha celulare, ‘Vodafone’ dhe ‘AMC’ [aktualisht ka ndryshuar emrin në Telekom] për sjellje jokonkurruese më 2007, pak media e raportuan lajmin. Pak gjëra kanë ndryshuar që nga ajo kohë. Kur në maj 2017, autoriteti i konkurrencës hapi një hetim të ri kundër ‘Vodafone’, ‘Telekom’ dhe ‘Albtelekom’ për krijimin e një oligopoli në treg, numri i mediave që raportuan lajmin ishte gjithashtu minimal.
Të dhënat e marra nga IDRA Media sugjerojnë se shumë prej reklamave në televizione, gazeta apo radio vijnë nga kompani të lidhura me pronarin e medias. Për shembull, reklamuesi më i madh i vlerësuar në “Top Channel”, bazuar në kohën e reklamave për periudhën janar – nëntor 2017, ishte kompania e televizionit dixhital me pagesë “DigitAlb”. Familja Hoxha janë pronarë të “Top Channel” dhe kontrollojnë 50% të aksioneve të “DigitAlb”. “Top Albania Radio”, një media tjetër ku familja Hoxha ka shumicën e aksioneve, është gjithashtu e pranishme si reklamuese në “Top Channel TV”. ‘Lori Cafe’, një kompani importimi kafeje nën pronësinë e Familjes Hoxha dhe ‘Kinematë Imperial’, një rrjet kinemash, janë gjithashtu reklamues domethënës në “Top Channel TV”.
E njëjta gjë mund të thuhet për platformën e transmetimeve dixhitale me pagesë “Tring TV” dhe “Media Vizion”, që të dyja të kontrolluara nga Familja Dulaku. “Tring TV” është reklamues i madh në “Vizion Plus”, transmetuesi kombëtar nën pronësinë e “Media Vizion”. Shtëpia botuese “Botimet Living” – gjithashtu nën pronësinë e Familjes Dulaku, është edhe një reklamues i madh në “Vizion Plus”. Reklamimi i kompanive mediatike të lidhura apo i bizneseve të lidhura me pronarët e medias është gjithashtu i pranishëm në “News 24”, “Scan TV”, “Top Albania Radio”, si dhe në gazetat “Mapo”, “Telegraf”, “Gazeta Shqiptare”, “Shekulli”, “Panorama”, “Panorama Sport”, “Monitor” dhe të tjera. Është e paqartë nëse këto reklama, të cilat vijnë nga kompani nën pronësinë e pronarit të medias, janë të ofruara me ulje çmimi apo pa pagesë.
Reklamat e fshehta: Një sfidë tjetër me të cilën përballet tregu i reklamave në Shqipëri është presioni në rritje nga kompanitë mbi mediat për të transmetuar reklama të fshehta, të cilat identifikohen si një problem së paku që nga viti 2015, kur ky fenomen u raportua në raportin vjetor të Autoritetit të Medias Audiovizive. Në një studim të publikuar më 2013, gazetari dhe kërkuesi i medias Elvin Luku, vë në dukje impaktin që reklamat e fshehta kanë në tregun e medias, veçanërisht në emisionet e debatit. Luku thelson se emisione të rëndësishme të tilla si ‘Zonë e Lirë’ në “TV Klan”, ‘Procesi Sportiv’ në “Top Channel” apo ‘Dribbling’ në “Vizion Plus” shpesh shfaqin reklama të fshehta. ‘Zonë e Lirë’ për shembull shpesh promovon këngët e reja të muzikantëve si reklama të fshehta.
Një formë tjetër e reklamave të fshehta të identifikuara nga Luku në skenën e debateve televizive shqiptare është tema e sponsorizuar. Luku jep për shembull emisionin ‘Top Show’ në “Top Channel”, ku një organizatë mund të paguajë për të zgjedhur një temë specifike duke paguar për kohën televizive. Luku citon drejtuesin e emisionit Alban Dudushim i cili vëren se organizata që paguan për kohën televizive dhe zgjedh temën mund të zgjedhë vetëm dy nga njerëzit që do të debatojnë, gjë që sipas Dudushit siguron kontroll editorial për stacionin televiziv. Në emisionin e mëngjesit ‘7 pa 5′ në “VIzion Plus”, 15 minuta kohë televizive kushtojnë 1,200 euro, pa TVSH. Emisioni i pasdites ‘Vizion i Pasdites’ në “Vizion Plus”, 60 minuta reklamë e fshehtë kushtojnë 3 mijë euro ndërsa 30 minuta kushtojnë 2 mijë euro. Luku shkruan se edhe semantika është domethënëse, për shkak se njerëzit që ftohen në këto emisione konsiderohen si ‘klientë’.
Praktika e shitjes së kohës televizive për reklamë të fshehtë dhe propagandë ka qenë e pranishme gjithashtu gjatë periudhave zgjedhore. Një investigim i kryer nga BIRN Albania gjeti se shumë stacione televizive kanë reklamuar shitjen e programeve apo reportazheve televizive për kandidatët, duke vënë çmime zyrtare në faqen e internetit të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve.
Tregu i reklamave në Shqipëri është në përgjithësi jotransparent dhe legjislacioni nuk është mjaftueshëm specifik mbi atë se si duhet të matet tregu i reklamave. Ndërkohë, reklamat e fshehta vijojnë të jenë një praktikë e gjithëpërhapur. Të gjitha këto janë ndoshta simptoma të problemeve shumë më të gjera në shëndetin e ekonomisë politike në vend dhe nuk duhet të shikohen jashtë kontekstit.
Vetëcensura në median shqiptare
Ndryshe nga censura ‘e vërtetë’, në të cilën dikush nga jashtë detyron gazetarin të ndryshojë një informacion të caktuar, vetëcensura do të thotë që vetë gazetari e bën atë në mënyrë parandaluese, shpesh për shkak të frikës nga pasojat që mund të ketë për veten dhe familjen, nga frika e padive gjyqësore apo pasojave ekonomike që kërcënojnë mirëqenien e gazetarit apo të familjes së tij apo saj. Studimet tregojnë se ky është një fenomen shqetësues që vijon të dominojë gazetarët shqiptarë.
Menjëherë pas rënies së regjimit komunist në Shqipëri dhe në dekadën që pasoi, marrëdhënia mes elitës politike dhe gazetarëve ishte konfliktuale dhe reporterët shpesh përballeshin me agresion e madje edhe me burgosje. Megjithëse pas vitit 2000 kërcënimet e drejtpërdrejta ndaj gazetarëve u pakësuan, media vijoi të përballet me përqasjen ‘kulaçi dhe kërbaçi’ nga qeveria dhe interesat e lidhura me të, të cilat krijuan kushtet për një praktikim në rritje të vetëcensurës mes gazetarëve. Megjithëse vetëcensura nuk është e lehtë të matet, praktika mbetet një shqetësim për reporterët dhe profesionistët e medias ndërsa disa e konsiderojnë si sfida më e madhe me të cilën përballet sot mjedisi i medias në Shqipëri.
Një raport i vitit 2016 i Parlamentit Europian identifikon vetë-censurën si problem i vazhdueshëm më skenën e medias në Ballkan, shpesh nxitur nga mungesa e sigurisë në punë dhe frika nga hakmarrja. Raporti i Progresit i vitit 2016 nga Komisioni Europian për Shqipërinë thekson se vonesat në pagesën e rrogave për gazetarët dhe mungesat në pagesën e sigurimeve shoqërore janë një fenomen i gjithëpërhapur, i cili mund të shtyjë me lehtësi drejt vetëcensurës.
Një studim i kryer nga Rrjeti Ballkanik i Gazetarisë Investigative në Shqipëri më 2015 me 121 gazetarë, redaktorë, pronarë mediash dhe ekspertë doli në konkluzionin se kjo është një praktikë e gjithëpërhapur mes gazetarëve, ku faktori kryesor cytës i identifikuar ishte rrjeti i ndërthurrur i interesave politike dhe ekonomike të pronarëve të medias. Raporti ‘Të mbyllësh një sy ndaj lajmit: Vetëcensura në median shqiptare’,tregoi se ekziston një trekëndësh në Shqipëri mes biznesit, pronarëve të medias dhe politikës, e cila minon gazetarinë cilësore dhe kthen shumë reporterë në viktima të censurës dhe vetëcensurës.
Sipas raportit, 70% e të intervistuarve si pjesë e studimit besojnë se gazetarët në Shqipëri shpesh shmangin raportimin mbi lajme apo tema të caktuara. Ndërkohë, pothuajse gjysma e gazetarëve që u vrojtuan raportuan se kanë shmangur drejtpërsëdrejti mbulimin e një apo më shumë lajmeve gjatë karrierës së tyre. Sipas studimit, zhanri në të cilin gazetarët kanë ushtruar më shpesh vetëcensurën ishte lajmi politik (70%), rastet që përfshinin krimin e organizuar (60%) dhe lajmet ekonomike (50%).
Vetëcensura zakonisht ndodh në një treg mediatik për shkak të presioneve të tërthorta dhe të drejtpërdrejta mbi organizatat e medias, presioneve të brenshme dhe përvetësimit nga gazetarët të vlerave të organizatës mediatike në të cilën punojnë. Mediat në Shqipëri shpesh janë krijuar nga biznesmenë që i përdorën ato në mbështetje të interesave të lidhura në fusha të mbirregulluara. Përveç rrjetit të komplikuar që krijohet rreth interesave të lidhura me pronarin e medias, klima e medias në Shqipëri është nën presion edhe nga një seri faktorësh të tjerë, përfshirë interesat e korporatave të mëdha reklamuese, institucioneve shtetërore dhe buxhetet e reklamave të qeverisë, por asnjë nga këto faktorë të jashtëm nuk luan një rol aq të madh për t’i shtyrë gazetarët drejt vetëcensurës nga sa luan interesi ekonomik dhe politik i pronarëve.
Afërsisht 80% e gazetarëve që morën pjesë në studim dhanë një vlerësim negativ për sigurinë e tyre në punë,g gjë që krijon kushtet që gazetarët të shtyhen drejt vetëcensurës. Raporti vëren se shpesh mungesa e parimeve editoriale të shkruara janë një faktor rreziku. Megjithëse gazetarët raportojnë se ata janë shpesh në dijeni të anësive të pashkruara të mediave ku ato punojnë, anësi të cilat shpesh transmetohen përmes sinjaleve të dërguara në redaksi nga kryeredaktorët, drejtorët e lajmeve apo kolegët, sinjale që mund të ndryshojnë në çdo çast. Këto sinjale të politikave informale brenda organizatave të medias shpesh i shtyjnë gazetarët të shmangin raportimin mbi lajme të caktuara të cilat mund të bien në konflikt me interesat politikë apo ekonomikë të pronarëve, i shtyjnë gazetarët drejt raportimit të njëanshëm në formatin PR të partnerëve politikë dhe financiarë dhe të shmangin në përgjithësi gazetarinë kritike dhe gazetarinë investigative.
Me përjashtim të pasigurisë në punë, kërcënimet ndaj sigurisë së gazetarëve shpesh citohen nga reporterët që mbulojnë krimet dhe çështjet gjyqësore. Drejtuesit e medias në Tiranë raportuan gjithashtu rritje të presionit nga krimi i organizuar, si një fenomen i ri që i shtohet një liste të gjatë faktorësh që sakaq shtyjnë gazetarët drejt vetëcensurës.
Një dixhitalizim i debatuar
Shqipëria është një nga 119 vendet që ka firmosur konventën e Gjenevës të vitit 2006 për dixhitalizimin e transmetimeve televizive tokësore, por gjithashtu një nga pak vendet në Europë që humbi afatin kohor të përcaktuar më qershor 2015 për të kryer këtë kalim. Procesi i dhënies së licencave të transmetimeve për kalimin nga televizioni analog në atë dixhital në Shqipëri u finalizua dy vjet më vonë, në janar 2017, dhe u shoqërua me sherre, vonesa dhe çështje gjyqësore.
Që nga viti 2004, nëntë transmetues ishin sakaq duke transmetuar programe në sinjal dixhital edhe pse licencat respektive të transmetimit nuk ishin dhënë ende. Në qershor 2012, qeveria e qendrës së djathtë e ish-kryeministrit Sali Berisha miratoi strategjinë kombëtare të kalimit në transmetime dixhitale ku parashikohej shpërndarja e shtatë fekuencave apo licencave për median vendëse përmes një procesi tenderimi të njohur si “beauty contest”.Dy nga shtatë licencat dixhitale iu dhanë Transmetuesit Publik, RTSH, me vendim të Këshillit të Ministrave. Përveç detyrimeve të marra si firmëtare e konventës së Gjenevës, procesi i dixhitalizimit në Shqipëri perceptohej nga shumë si një mundësi për të ‘legalizuar’ punën e një numri operatorësh që ishin sakaq duke transmetuar televizion dixhital dhe që kishin zënë frekuencat për më shumë se një dekadë.
Pasi qeveria e mëparshme e qendrës së djathtë humbi zgjedhjet më 2013, procesi i dhënies së licencave të reja dixhitale u ndërpre përkohësisht, për shkak se një udhëheqësi e re u vendos në Autoritetin e Medias Audiovizive (AMA) më 2014. Kur kreu i ri i AMA, Gentian Sala, mori postin në nëntor 2014, një procedurë për shpërndarjen e frekuencave dixhitale te operatorët sakaq kishte dështuar pasi ishte sulmuar në gjykatë.
Në prill 2015, AMA nisi një garë të re në formatin ‘Beauty Contest’ për shpërndarjen e licencave dixhitale, bazuar në kriteret fillestare përmes të cilave operatorët që u ftuan të marrin pjesë në tender duhej të kishin licencë kombëtare dhe eksperiencë të mëparshme në transmetimet dixhitale. Kompanitë e përzgjedhura nga AMA ishin Top Channel TV, Klan TV, rrjetet dixhitale Tring TV dhe DigitAlb, dhe platforma e transmetimeve dixhitale sportive SuperSport, e cila ishte tërësisht nën pronësinë e DigitAlb – drejtohej nga i njëjti drejtor dhe kishte një status të pezulluar në regjistrin tregtar në ditën kur u shpall tenderi. Në terma të pronësisë, konkurrenca ishte mes vetëm tre garuesve: Familja Hoxha, pronarë të Top Channel, DigitAlb dhe SuperSport; Familjes Frangaj, pronar i TV Klan dhe Familjes Dulaku, pronar i TV Tring.
Vendimi për të përfshirë SuperSport në garë dhe për të përjashtuar Media Vizion, kompaninë e televizionit Vizion Plus, u kontestua në gjykatë nga kjo e fundit. Kreu i Media Vizion Genc Dulaku deklaroi në atë kohëse vendimi i AMA dukshëm favorizonte familjen Hoxha dhe kompanitë e tyre, Top Channel, DigitAlb dhe Super Sport. Në përgjigje të vendimit të AMA, Media Vizion tërhoqi Tring nga tenderi dhe dorëzoi një padi civile në gjykatën e Tiranës. Në shtesë të shqetësimeve të Media Vizion se Ama po favorizonte DigitAlb, ishin gjithashtu lidhjet mes këtij rrjeti shpërndarës dhe kreut të AMA, Gentian Sala, i cili mes viteve 2008 dhe 2009 pati qenë administrator i e-Solutions, një kompani nën pronësinë e DigitAlb. Sala mohoi kategorikisht se pati favorizuar ish punëdhënësin.
Për shkak të sherrit të krijuar, gjyqit nga Media Vizion dhe tërheqja nga tenderi e Tring TV, AMA diskualfikoi edhe SuperSport nga raundi i parë i ‘Beauty Contest’ dhe procesi u bllokua. Në mars 2016, një vendim gjykate detyroi AMA të japë tre licencat e para dixhitale – me përjashtim të dy licencave që i shkuan transmetuesit publik RTSH – te DigitAlb, Top Channel TVdhe Klan TV.
Në nëntor 2016, AMA hapi një tender të ri për shpërndarjen e dy frekuencave të mbetura dixhitale. Pesë kompani, përfshirë ABC News, Tring TV, Media Vizion, Ora News dhe ADTN morën pjesë në garën për dy licencat. Nga të pesë pjesëmarrësit, ADTN ishte një kompani e re e krijuar më shtator 2016 dhe tërësisht nën pronësinë e DigitAlb. Në dhjetor 2016, AMA dha licencën e katërt për Media Vizion, ndërsa diskualifikoi ABC News, Ora News dhe Tring TV. ADTN mbeti në garë, megjithëse bordi i AMA nuk kishte kuorumin e nevojshëm për t’i dhënë asaj një licencë në takimin e dhjetorit. Në janar 2017, AMA dha licencën e pestë te ADTN, akronim i Albania Digital Television Network, duke përfunduar shpërndarjen e licencave dixhitale. Pas vendimit Ora News dhe Tring TV dorëzuan një padi penale kundër AMA.
Aktualisht, edhe tregu i televizioneve me pagesë është shumë i përqendruar me pesë licenca dixhitale në duart e tri pronarëve të medias: sërish, familja Hoxha me DigitAlb, Top Channel dhe ADTN, familja Frangaj me Klan TV dhe familja Dulaku me Media Vizion. Në terma të pjesës së tregut, Familja Hoxha vetë ka 55% të tregut të televizionit me pagesë. Legjislacioni shqiptar nuk mbart mekanizma që synojnë të ruajnë pluralizmin e medias apo të parandalojnë nivele të papranueshme përqendrimi të pronësisë së medias. Përgjatë procesit të tenderimit AMA nuk mori parasysh problemet e përqendrimit të pronësisë në media kur shpërndau licencat dixhitale.
Procesi i dixhitalizimit është ende duke u kryer me një numër të madh operatorësh televizivë vendorë që duhet të plotësojnë kushtet teknike për kalimin nga analog në dixhital.
Shënim: Artikulli është një investigim i BIRN e Reporterëve pa Kufij