Në kuadër të “Javës së Albanologjisë” sot është diskutuar mbi folklorin dhe teknologjinë e komunikimit.
Me këtë rast gazetarja e Televizionit Publik Shqiptar (TVSH), Edlira Birko ka thënë për “Zërin” se ky televizion është në rrugën e digjitalizimit por akoma nuk e ka përfunduar.
“Në Shqipëri Televizioni Publik akoma është në rrugën e digjitalizimit por akoma nuk e ka përfunduar digjitalizimin sepse janë faktura shumë të mëdha ekonomike dhe ka probleme të mëdha, kështu që deri tani Televizioni Publik ka operuar me fondin e vet të arkivit ku ka ruajtur një pasuri jo të vogël të folklorit shqiptar. Në kohën kur është themeluar TVSH-ja, ai folklori që krijohej televizioni bëri maksimumin e vet që të mundet ta filmonte dhe ta ruante në arkivin e vet që ta transmetonte por kushtet teknike në të cilat ishte atëherë televizioni , mjetet financiare, përgadtija e stafit natyrisht I future edhe brenda kornizave do ta sillte në një formë jo që mund të transmetohej sot”, ka thënë Birko.
Birko më pas ka sqaruar se në periudhën globale në të cilën ndodhemi sot, kur ne kemi mundësi që të shohim çdo ditë si televizionet italiane, franceze, gjermane ku ata kanë ecur shumë dhe ku kanë një pasqyrim krejt tjetër edhe të vlerave të tyre kombëtare që përfaqësojnë identitetin e tyre ne jemi shumë mbrapa me këtë.
“Unë mendoj si çdo fushë tjetër kërkon atë ekspertin që të bëjë filtrin dhe në televizionet tona duke u nisur nga TVSH mund të them që mungon ky filtër profesional dmth ne përpiqemi të modernizojmë tekniken por nuk përpiqemi të modernizojmë pikërisht nivelin e krijuesve të TVSH-së”, është shprehur Birko e cila më pas ka shtuar se TVSH-ja aktualisht është në një lloj kaosi për shkak të kushteve financiare dhe teknikës.
E pyetur në atë se çfarë mendimi ka sa i përket mediumeve tona, sa e ruajnë ato folklorin, gazetarja Edlira Birko ka thënë se ne vuajmë nga e njëjta sëmundje.
“Kam parë por me intuitë mund të them se ne vuajmë nga e njëjta sëmundje, përderisa vuajmë nga e njëjta sëmundje në politikë në drejtimet tjera detyrimisht edhe në televizion vuajmë nga po e njëjta sëmundje”, ka thënë Birko.
Burimi | Zeri / Jehona Hulaj