Pas përfundimit të sezonit të parë të “Big Brother Vip Albania”, sezoni i dytë po pritet me kuriozitet edhe më të madh.
Dhe teksa reality-show i njohur pritet të nisë, të shumta janë aludimet në lidhje me banorët që do të bëhen pjesë. Por jo vetëm kaq, edhe opinionistët dhe çmimi i madh po komentohen mjaft në rrjet.
“Panorama Plus” raporton se stafi ka nisur që tani takimet e para për të përzgjedhur një kast, që pritet të jetë tejet i spikatur dhe se ndryshimet do të jenë të mëdha në këtë edicion të radhës, ku tashmë kanë nisur të konfirmohen emrat e parë të personazheve që do të marrin pjesë. Burime për të njejtën media bëjnë me dije se edhe çmimi i madh ka ndryshuar.
Ilir Shaqiri, fituesi i “Big Brother Vip 1”, mori 100 mijë euro, por vitin e ardhshëm pritet që shuma të jetë më e madhe se 200 mijë euro. Gjithashtu, spektakli do të vijojë të jetë dy herë në javë, duke pasur një audiencë të madhe.
Nuk dihet nëse Arbër Hajdari do të jetë sërish në panelin e analistit, por ajo që dihet është fakti se Balina nuk do të jetë në këtë panel sezonin e ardhshëm.
Konkurrentët
Raportohet se Blerim Destani është ndër personazhet që është ftuar të marrë pjesë në formatin e 100 ditëve.
Nuk dihet ende nëse aktori e ka pranuar ftesën, duke lënë gjithçka pezull pas përfundimit të projekteve të tij në kinematografi.
Nga ana tjetër, Erjola Doci duket se do të jetë banore e kësaj shtëpie. Vajza e dalë nga “She’s on Top” do të vijë në “Big Brother” pas eksperiencës që pati te “Kepi i Tundimeve”.
Një tjetër nga vajzat e ekranit që aludohet se do të marrë pjesë është Fjoralba Ponari. Moderatorja e “Portokallisë” është ndër imazhet më të dashura në rrjetet sociale, duke zgjedhur të ruajë një profil të ulët në media.
Ndaj fakti se mund ta shikojmë 24 orë në 24 përpara kamerave do të përbënte shumë interes për një personazh si ajo.
“Panorama” shton se një emër tjetër i lakuar së fundmi është edhe i Manjola Nallbanin. Këngëtarja e famshme bën pjesë tek ata VIP-at që na mahnit gjithmonë në rrjetet sociale, por duket se gjithnjë brenda kornizave.
Kujtojmë se një emër që është përfolur ditët e fundit për pjesmarrjen në Big ka qenë edhe Ylli Limani.
Ylli listoi disa ditë më parë gjërat e sigurta për karrierën e tij këtë vit. Ai ka zbuluar se nuk do të marrë pjesë në Festivalin e Këngës në RTSH, e që fituesin e dërgon në Eurovision.
“Nuk do të marrë pjesë në Festivalin e Këngës në RTSH për Eurovision”, ka shkruar Ylli në një postim.
Ndërkaq, ai ka etiketuar Arbana Osmanin, në postimin e tij. Me këtë Ylli ngriti dyshime se do të jetë pjesë e “Big Brother Albania”.
Konkretisht, Era Istrefi është emri më i lakuar për të marrë pjesë në “Big Brother”. Por axhenda e ngjeshur e artistes mund të çojë në një përgjigje negative.
Ndërkohë një “jo” për të dytën herë është përgjigjur modelja Oriola Marashi. Ndonëse ftesa i është përsëritur, sërish modelja ka preferuar të zgjedhë karrierën e saj, duke mos mundur të gjejë kohë për t’u bërë pjesë e shtëpisë së famshme.