Edicioni i tretë i “Big Brother VIP” në Shqipëri po arrin nivele të larta të ndjekjes, duke thyer çdo rekord të audiencës dhe duke e bërë atë më të suksesshëm se edicionin e mëparshëm. Vetëm në muajin e parë të transmetimit, ky edicion ka arritur të tërheqë një vëmendje të jashtëzakonshme nga publiku shqiptar.
Sipas të dhënave, “Big Brother VIP 3” është ndjekur në YouTube për një total prej 9 milionë orësh në vetëm 22 ditë, duke dyfishuar shikueshmërinë në krahasim me edicionin e mëparshëm, i cili kishte arritur 4.3 milionë orë ndjekje. Gjithashtu, numri maksimal i ndjekësve në livestream ka arritur në 189.245, duke kaluar numrin e ndjekësve të edicionit të dytë, i cili ishte 175 mijë.
Jo vetëm në YouTube, por edhe në Instagram, ky edicion ka thyer rekordet e mëparshme. Postimet në Instagram të “Big Brother VIP 3” janë parë nga 5.8 milionë ndjekës, ndërsa gjatë kësaj kohe faqja ka shtuar edhe 80 mijë ndjekës të rinj. Kjo rritje e ndjekësve dhe interesi i madh që ka tërhequr ky edicion prej fillimit të tij, konfirmon suksesin e padiskutueshëm të “Big Brother VIP 3”.
Me këto shifra rekord dhe vëmendjen e madhe të publikut, pritet që “Big Brother VIP 3” të vazhdojë të thyjë rekorde dhe të vendosë standarde të reja në historinë televizive të mediave shqiptare.
Burimi Top Channel