Ndarja e Hueyda El Saied nga jeta ka tronditur gjithë personat që e njihnin nga afër apo përmes ekranit dhe artit të saj. Prej më shumë se një viti ajo po luftonte me sëmundjen e kancerit të gjirit, por kishte zgjedhur të mos tregonte asgjë. Pasditen e sotme miq të artistes, në një “In memorium” për të në “Ftesë në 5”, thanë se ky lajm u erdhi shumë i papritur.
“Kisha kuptuar diçka por nuk ma merrte mendja kurrë. Në fillim kishte shpresë, por sëmundja iu përhap në trup në mënyrë agresive”, tregoi koreografja Kozeta Bakiu. Ajo u shpreh se artistja ishte kujdesur që të mos i ngelte asnjë peng, ndërsa u kujdes që djali të merrte mbiemrin e bashkëshortit që ta linte në ‘duar’ të sigurta.
Miqtë thanë se Hueyda i kishte kërkuar të mblidheshin si gjithmonë, për të festuar së bashku, kur të vinte në Tiranë, takim që nuk u realizuar dhe për miqtë e saj mbetet peng.
Gjatë bisedës në studio edhe vetë Bieta e pati të vështirë të përmbante lotët, aq më tepër në momentin që po flitej për të vegjëlit e tyre. Ajo tha se gjithmonë flisnin për djemtë me njëra-tjetrën dhe se e pati shumë të vështirë drejtimin e emisionit ditën e sotme.
“Hueyda më komentonte gjithnjë për Kroin dhe unë po ashtu për Gabrielin. Mbaj mend këtë shtator komentova kur ai nisi shkollën. E kam shumë të vështirë ta mbaj këtë emision sot”, tha ndër të tjera Bieta tejet e prekur.