Të gjithë e mbajnë mend videoklipin e Beyonce-s në vitin 2008 për “Single Ladies”. Kënga dhe lëvizja tipike iu fiksua të gjithëve! Një detaj tjetër i rëndësishëm i videos është fakti që e gjitha është bardhë e zi. Mesa duket, jo pa qëllim.
Në një intervistë me Harper’s Bazaar, Beyonce u shpreh:
“Mbaj mend që isha në një takim duke diskutuar analitikat dhe më thanë se hulumtimet tregonin se fansat e mi nuk e pëlqenin kur fotografitë e mia ishin bardhë e zi. Ata më thanë se nuk do të shisja nëse s’do kisha më shumë ngjyra. Ishte qesharake. Më mërziti fakti që një agjensi doli në këtë përfundim bazuar në një sondazh. Kë pyetën ata? Si është e mundur të përgjithësohen njerëzit kaq shumë? A janë të sakta këto studime? A janë të drejta? A përfshihen të gjithë njerëzit që duhet? Më nxiti kur më thanë ‘Këto studime tregojnë…'”.
Këngëtarja shtoi:
“Isha aq e lodhur nga këto kompani, saqë gjithë projektin tim të ardhshëm e bazova në dy ngjyra: bardhë e zi, përfshirë videon për “Single Ladies”, “If I were a Boy” dhe praktikisht gjithçka nga “I Am… Sasha Fierce”. Albumi përfundoi si suksesi im më i madh komercial deri më sot. Unë përpiqem të mbaj ndjenjën njerëzore, shpirtin dhe emocionin në vendimmarrjen time”.
Kjo me siguri ka qenë hera e fundit që dikush i ka thënë Beyonce-s se si të krijojë muzikën e saj dhe meqë ra fjala te kjo e fundit, këngëtarja thotë se do të rikthehet së shpejti me projekte të reja.
“Me gjithë izolimin dhe padrejtësinë gjatë vitit të kaluar, mendoj se të gjithë jemi gati për të shpëtuar, udhëtuar, dashuruar dhe qeshur përsëri. Ndjej një rilindje që po shfaqet dhe dua të jem pjesë e ushqyerjes së asaj arratisjeje në çfarëdo mënyre të mundshme. Unë kam qenë në studio për një vit e gjysmë […] Po, muzika po vjen!”, përfundoi ajo.
Burimi: Glamour