Tiranë, 11 qershor 2024 – Përgatituni për një spektakël të vërtetë! Finalja e shumëpritur e Re-Debate VII, Kampionatit Kombëtar të Debatit për shkollat e mesme, do të zhvillohet më 11 Qershor 2024 në ambientet e KRK TEYC. Ky event i rëndësishëm, që ka mbledhur debatuesit e rinj që kanë spikatur ne këtë edicion, shënon kulmin e një rrugëtimi të gjatë dhe emocionues të mbushur me përballje të zjarrta dhe argumente të fuqishme.
Projekti, i cili filloi në tetor 2023, ka përfshirë 48 shkolla nga e gjithë Shqipëria, duke sjellë së bashku shkolla të mesme publike, private dhe profesionale. Në fazën e parë, janë realizuar trajnime në këto shkolla, duke udhëtuar në qytetet kryesore të vendit: Tiranë, Durrës, Elbasan, Kamëz, Krujë, Fushë Krujë, Vlorë, Sarandë, Korçë, Fier, Shkodër, Lezhë dhe Berat. Faza e dytë ka përfshirë debatet në nivel qyteti në këto qytete.
Pas përfundimit të fazës së dytë, bazuar në pikëzimin e tyre, 16 skuadrat me më shumë pikë kanë mbërritur në Tiranë për Fazën Eliminatore, ku kanë vazhduar me fazën Çerekfinale dhe Gjysmëfinale. Tani, më 11 Qershor, katër skuadrat më të mira do të finalizojnë Kampionatin Kombëtar të Debatit në një përballje epike dhe emocionuese.
Faza finale do të nisë me finalen e vogël, ku shkolla “Naim Frashëri” nga Durrësi dhe shkolla “28 Nëntori” nga Shkodra do të përballen për vendin e tretë. Ky duel pritet të sjellë në skenë performanca të jashtëzakonshme dhe argumente bindëse nga nxënësit më të talentuar të këtyre shkollave.
Pas finales së vogël, do të zhvillohet finalja e madhe, një përballje e fuqishme midis shkollës “Harry T. Fultz” dhe shkollës “Sami Frashëri”, të dyja nga Tirana. Këto dy skuadra kanë kaluar nëpër raunde të shumta sfiduese dhe kanë treguar vendosmëri, përgatitje dhe një nivel të lartë të mendimit kritik që i ka sjellë në këtë pikë kulmore të garës.
Eventi i Finales do të nisë me fjalimet përshëndetëse të disa prej personaliteteve më të rëndësishme që mbështesin këtë projekt:
- Znj. Bora Muzhaqi, Ministre Shteti për Rininë dhe Fëmijët
- Znj. Nina Guga, Zëvendës Ministre e Arsimit dhe Sportit
- Z. Geron Ibrahimi, Drejtor i Agjencisë Kombëtare të Rinisë
- Znj. Edina Kozma, Zëvendës Përfaqësuese e UNICEF
- Znj. Aspasjana Kongo, CEO dhe Koordinatore e Përgjithshme e TEYC 2022, KRK
- Z. Klevis Hysaj, Drejtor i Agjencisë Kombëtare të Punësimit dhe Aftësive
Re-Debate VII është një projekt ambicioz, i mundësuar nga mbështetja e donatorëve, partnerëve dhe sponsorëve të shumtë, të cilët kanë njohur dhe vlerësuar rëndësinë e mendimit kritik dhe lirisë së shprehjes për ecurinë e të rinjve. Në mesin e tyre janë UNICEF, Ministria e Arsimit dhe Sportit, Agjencia Kombëtare e Rinisë, Agjencia Kombëtare e Punësimit dhe Aftësive dhe TEYC 2022.
Përmes projektit Re-Debate, synohet të nxitet mendimi kritik tek të rinjtë dhe të promovohet rëndësia e debatit si një mjet edukativ që i ndihmon ata të zhvillojnë aftësitë e tyre për argumentim, analizë dhe komunikim efektiv. Ky event jo vetëm që promovon aftësitë debatuese të rinisë, por gjithashtu shpalos një vështrim të thellë në çështje të ndryshme që kanë ndikim në shoqërinë tonë. Nxënësit që marrin pjesë në Re-Debate mësojnë të analizojnë çështje të ndryshme, të strukturojnë argumentet e tyre dhe të mbrojnë pikëpamjet me respekt dhe integritet.
Finalja e Re-Debate VII do të jetë një ngjarje e rëndësishme , jo vetëm për përballjet e forta dhe emocionet e garës, por edhe për mësimet dhe vlerat që ajo përçon tek të rinjtë pjesëmarrës dhe shikuesit. Pjesëmarrësit ballafaqohen me pyetje komplekse dhe dilema të rëndësishme shoqërore, duke demonstruar jo vetëm njohuritë e tyre, por edhe aftësinë për të argumentuar dhe për të marrë pjesë në diskutime të rëndësishme intelektuale.
Në një kohë kur dialogu konstruktiv dhe kapaciteti për të dëgjuar dhe për të vlerësuar pikëpamjet e të tjerëve janë thelbësore për zhvillimin e shoqërisë, kampionati Re-debate ndihmon në promovimin e këtyre aftësive thelbësore. Pjesëmarrësit jo vetëm që janë përballë sfidave intelektuale, por përjetojnë dhe një përvojë të rëndësishme për rritjen personale dhe zhvillimin e tyre si debatues dhe mendimtarë të përgatitur për të ardhmen.
Ndërkohë që dy skuadrat finaliste luftojnë për titullin e kampionit, të gjithë të pranishmit do të kenë mundësinë të shohin fuqinë e mendimit kritik dhe rëndësinë e lirisë së shprehjes në veprim.
Pas përfundimit të të dy debateve, do të ndahen çmimet për të gjitha skuadrat pjesëmarrëse, duke njohur dhe vlerësuar përpjekjet dhe arritjet e tyre në këtë garë të jashtëzakonshme.
Për më shumë informacione dhe përditësime të drejtpërdrejta, ju lutemi ndiqni faqen tonë dhe rrjetet tona sociale. Ju ftojmë të gjithëve të na bashkoheni për të festuar së bashku arritjet e të rinjve tanë të talentuar në finalen e Re-Debate VII.