Ministrja e Arsimit, Besa Shahini ka reaguar sërish pas protestave të vazhdueshme të maturantëve. Me anë të një video-mesazhi në llogarinë e saj zyrtare të Facebook-ut, ajo u shpreh se provimet kombëtare nuk i penalizojnë nxënësit. Ato masin jo vetëm njohurinë e fituar përgjatë 12 viteve por edhe aftësitë që kanë maturantët për t’i aplikuar këto njohuri në jetë apo në punë.
“Të dashur maturantë dhe prindër të maturantëve! Ju drejtohem sot dhe besoj që jeni shqetësuar nga një debat i çuditshëm dhe i stër-politizuar që e pamë të zhvillohej mbi maturën shtetërore këto dy ditët e fundit.
Një stër-politizim i skajshëm dhe i tmerrshëm, që jo vetëm shpërqëndroi nxënësit nga puna që duhet të bëjnë për t’u përgatitur për provimet e rradhës por edhe keqinformoi një debat që mund të ishte një debat i dobishëm kombëtar për mënyrën si po zhvillohet arsimi.
Sido që të jetë Qendra e Shërbimeve Arsimore dhe Komiteti i Maturës Shtetërore kanë adresuar të gjitha shqetësimet që janë ngritur nga nxënës dhe mësues për mënyrën si është zhvilluar Matura Shtetërore këtë javë dhe për dy provimet që do zhvillohen. Nuk kam ç’të shtoj më në lidhje me këto informacione që kanë dhënë institucionet që janë përgjegjëse për organizimin e maturës shtetërore. Kjo është një çështje teknike, me të cilën merren personat që janë eskpertë të fushës.
Ajo çfarë dua të them dhe që është e rëndësishme është se provimet kombëtare nuk penalizojnë nxënësit, sepse kjo është dëgjuar shpesh ditët e fundit. Provimet kombëtare janë dizanjuar që të masin jo vetëm njohuritë e nxënësve që kanë ndërtuar për 12 vite por edhe aftësitë që ato kanë për të aplikuar për njohuri në jetë apo në punë. Këtë e bën pikërisht testi Piza, që është standardi i vlerësimeve për nxënësit dhe mat aftësitë e tyre për të aplikuar për njohuritë e tyre.
LEXO EDHE:
Një debat tjetër që unë besoj duhet të ndodhë, është i domosdoshëm, jo nga politikanët por ekspertët e fushës, është debati për mënyrën se si po zhvillohet gjuha shqipe, se si po zgjerohet ajo, se si po zhvillohet letërsia shqipe, dhe se si po u mësohet gjuha dhe letërsia shqipe nxënësve në shkollat tona. Ky është një debat që duhet të ndodhë nga njerëz që e njohin gjuhën shqipe, kanë studiuar letërsinë, por e njohin edhe shkollën, e njohin edhe universitetin. Pra, janë njerëz të fushës që dinë ta adresojnë këtë çështje në një mënyrë produktive, që mund ta përkthejmë pastaj në politika arsimore”, u shpreh Shahini.
Me sa pashë të premten para Ministrisë, kishte studentë të vitit të fundit në universitet, pjesë e strukturave të partive opozitare, të cilët e kanë bërë Maturën Shtetërore para 7-8 viteve, shumë para se të futej në funksion kurrikula e re. Kam parë gjithashtu dje që para Ministrisë kishte dalë një burrë, i cili kishte sharë e ofenduar duke përdorur fjalët më të këqija të mundshme. Unë jam e bindur që maturantët tanë nuk identifikohen me këta persona”, tha Shahini.