Një vëmendje e veçantë po i kushtohet restaurimit të banesave në qytetin e Beratit, ku ditët e fundit shtëpia e familjes Goxhomani në lagjen “Mangalem”, i është nënshtruar procesit të restaurimit të çatisë.
Sipas Drejtorisë Rajonale të Trashëgimisë Kombëtare Berat dëmtimi i çatisë si pasojë e lagështisë së madhe e shkaktuar nga thyerja e disa trarëve kryesorë të strukturës së saj përbënte një rezik të madh për jetën e familjarëve si dhe rezikonte gjithë monumentin në terësi.
Pas hartimit të projektit për restaurimin e çatisë nga specialistët e DRTK-Berat dhe miratimit të tij në instancat përkatëse u bë e mundur këtë verë nga punonjësit e mirëmbajtjes të fillojë ndërhyrja për restaurimin e saj.
DRTK bën të ditur se kjo ndërhyrje do të kryhet në bashkëpunim me CHWB-Albania.
Banesat beratase janë një dëshmi e vyer e diversitetit urbanistik dhe arkitektonik, karakteristikë e Beratit.
Kompleksi i lagjes “Mangalem” është unik në artin e ndërtimeve. Ka formën e një piramide, që imiton siluetën e kodrës, në majën e së cilës është ngritur kështjella. “Mangalemi” është një nga pikat më të fotografuara, pikturuara, gdhendura në dru e gurë, është emblema e Beratit.
Shtëpitë e bardha duket sikur i mbivendosen njëra-tjetrës, prandaj ndryshe Berati quhet “qyteti i një mbi një dritareve”.