Vaksina kundër koronavirusit mund të jetë e gatshme shumë shpejt, në fund të këtij viti ose në fillim të vitit të ardhshëm. Pas ministrit italian të Shëndetësisë Roberto Speranza javën e kaluar, një reagim i ngjashëm vjen edhe nga Komisionerja e Shëndetit të BE, Stella Kyriakides.
“Megjithëse bërja e parashikimeve është e rrezikshme në këtë pikë, ne kemi indikacione të mira që vaksina e parë do të jetë në dispozicion deri në fund të këtij viti ose në fillim të vitit të ardhshëm”, tha Kyriakides për gazetën gjermane të biznesit Handelsblatt në një intervistë të botuar të dielën.
Vende në të gjithë botën po garojnë për të siguruar vaksinat e mundshme të koronavirusit. Në qershor, një aleancë vaksinash midis Gjermanisë, Francës, Holandës dhe Italisë filloi bashkimin e aktiviteteve të saj me strategjinë e Komisionit Europian për të avancuar blerjen e vaksinave.