Ambasadori Luigi Soreca, Shefi i Delegacionit të BE-së në Shqipëri, do t’i dorëzojë sot Ministres së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale Ogerta Manastirliu pjesën e katërt të ndihmës së BE-së për Shqipërinë për trajtimin dhe parandalimin e COVID-19
Pjesa e katërt e ndihmës përbëhet nga 15 ventilatorë të lëvizshëm, 50 monitorë me parametra vitale, 25 defibrilatorë, 20 elektrokardiograme me rrota, 10 ekografë me sonda lineare dhe konvekse, me rrota, si dhe 2 aparate radiografie digjitale të lëvizshme.
Tri dërgesat e para u kryen në muajin maj dhe në mes të muajit qershor dhe përbëheshin nga pajisje mbrojtëse personale dhe furnizime kundër COVID-19, ambulanca të pajisura plotësisht për shpëtimin e jetës, shtretër të pajisur plotësisht për njësitë e kujdesit intensiv, pajisje elektrokardiograme dhe pajisje të tjera të specializuara për trajtimin e rasteve më të rënda të insuficiencës së mushkërive.
Angazhimi i përgjithshëm i BE-së për Shqipërinë në luftën kundër COVID-19 është 4 milionë Euro për pajisje mjekësore të prokuruara nëpërmejt UNOPS dhe gati 50 milionë Euro për mbrojtje dhe mbështetje sociale, si dhe për rimëkëmbje ekonomike.