Transmetuesi britanik tha se talebanët, të cilët morën kontrollin e vendit pas tërheqjes ushtarake të SHBA-së në fillim të këtij viti, e kanë ndaluar transmetimin në tre gjuhët kryesore të Afganistanit.
Ndërsa talebanët kanë thënë se nuk do të ndërmarrin veprime kundër atyre me të cilët nuk pajtohen, grupe të shumta të të drejtave të njeriut kanë ngritur shqetësime rreth lirisë së fjalës në Afganistan. Disa gazetarë janë arrestuar që kur talebanët morën pushtetin.
BBC tha se programi i tij i lajmeve ndiqet nga më shumë se gjashtë milionë afganë në javë.
Në një deklaratë të publikuar nga BBC, Tarik Kafala, shefi i gjuhëve, i BBC-së tha: “Programet e lajmeve televizive të BBC-së në pashto, persisht dhe uzbekisht janë hequr nga transmetimi në Afganistan, pasi talebanët urdhëruan partnerët tanë televizivë të heqin transmetuesit ndërkombëtar nga valët e tyre.
“Ky është një zhvillim shqetësues në një kohë pasigurie dhe turbulence për popullin e Afganistanit. Më shumë se gjashtë milionë afganë ndjekin çdo javë gazetarinë e pavarur dhe të paanshme të BBC-së në TV dhe është thelbësore që atyre të mos u mohohet qasja në të në të ardhmen. Ne u bëjmë thirrje talebanëve të ndryshojnë vendimin e tyre dhe të lejojnë partnerët tanë televizivë që t’i kthejnë menjëherë programet e lajmeve të BBC-së në valët e tyre.
Misioni i Asistencës së OKB-së në Afganistan në Twitter e quajti ndalimin “një tjetër zhvillim rrëqethës” dhe e quajti atë një “hap regresiv kundër popullit të Afganistanit”.