Ndeshja e Beogradit mes Serbisë dhe Shqipërisë tash do të jetë pjesë e një dokumentari prestigjioz të njërit prej televizioneve më të prestigjioze në botë ESPN.
Grupi i xhirimit të ESPN, rrjetit të famshëm amerikan, kishte më shumë se një muaj që i është dedikuar ngjarjeve sportive shqiptare. Dhe më në fund tashmë e ka gati dokumentarin, që mori shkas nga përballja e dytë me ngarkesë të fortë emocionale mes Shqipërisë dhe Serbisë, zhvilluar në 8 tetor në “Elbasan Arena”.
“Rruga drejt historisë asnjëherë nuk është e lehtë”. Është kjo fabula që përmban dokumentari, kushtuar Kombëtares Shqiptare, në ëndrrën tashmë të bërë realitet “France 2016”.
Grupi i xhirimit nuk është ndalur vetëm në fushën e gjelbër. Ashtu sicc edhe pohoi në intervistën për Televizionin Klan në muajin tetor, kohe kur u zhvilluan xhirimet, Charlie Askeë rrëfen jo vetëm Shqipërinë Kuq e Zi, por edhe rrugëtimin e saj, që nga eksodi në fillim të viteve 90, traditat, zakonet e deri në ditën e fitores së madhe, Shqipëria për herë të parë në kampionatin europian të futbollit.
Në role, duke dhënë intervista e folur për këtë arritje që ekzaltoi e bëri krenarë tërë shqiptarët, kudo që jetojnë e punojnë, janë Lorik Cana, Gianni De Biasi, Blendi Fevziu, Herolind Shala, Sokol Cikalleshi, Andi Lila, Armand Duka, Marina Vjollca, Gazmend Malo.
Filmi dokumentar “Battle in the Balkans” do të prezantohet fillimisht në kinematë amerikane, për t’u ndjekur më pas në të gjitha vendet e tjera.
Marre nga Syri