Çfarë është Bashkimi Evropian? Si funksionon ky partneritet dhe si rrugëtoi deri më sot unioni ku shqiptarët aspirojnë të bëhen pjesë prej 26 vjetësh.
Janë këto pyetjet që tenton ti përgjigjet cikli më i ri i emisioneve me në fokus Bashkimin Evropian që starton këtë të mërkurë në orën 20.00 në Report TV.
Gazetarja Erjona Rusi, bashkëautore e këtyre programeve shprehet se cikli i emisioneve me titull “Bashkimi Evropian/Flamuri me 12 yje” i cili bashkëfinancohet nga Delegacioni i Bashkimit Evropian në Tiranë starton nesër në mbrëmje me programin e parë “Çfarë është Bashkimi Evropian?”
“Është një cikël prej 10 emisionesh që do të transmetohët në muajt në vijim në Report TV dhe çdo program ka një temë të caktuar rreth Bashkimit Evropian. Bashkë me autorin Arben Papadhopulli dhe stafin realizues, jemi përpjekur që me një gjuhë të thjeshtë të shpjegojmë se si funksionon ky partneritet unik mes 28 vendeve anëtare, duke nisur fillimisht me historikun e tij. Pra në programin e parë që starton të mërkurën në orën 20.00. shikuesit do të kenë mundësinë të shohin një emision që shpjegon mënyrën se si u krijua BE, falë ndërthurjes së historikut me shpjegimet që bëjnë të intervistuarit të cilët janë Ministrja e Integrimit Klajda Gjosha, eskperti Adrian Civici dhe drejtori i EMA, Gledis Gjipali”-thotë Rusi.
Sipas saj, një tjetër element risi, që ekipi realizues është përpjekur të sjellë bukur me këtë cikël emisionesh është edhe elementi grafik. “Teknologjia sot, dhe veçanërisht grafikat të japin mundësinë ti shpjegosh gjërat në mënyrë shumë të thjeshtë dhe argëtuese. Këtë jemi përpjekur të bëjmë përmes përfshirjes së grafikave ku shpjegojmë disa prej elementëve kyç të mënyrës se si funksion Bashkimi Evropian”-thotë Erjona Rusi.
Gazetarja thekson se pjesë e rëndësishme e emisioneve është edhe zëri i qytetarëve lidhur me tema të rëndësishme që prekin mënyrën se si funksionon Bashkimi Evropian.
“Është një nga elementët më interesantë të emisioneve, mendimi i qytetarëve lidhur me mënyrën se si ata e shohin BE-në, dhe çështje të tjera rreth unionit. Psh, është interesant fakti se si shqiptarët mendojnë se do të ndryshojë jeta e tyre pasi të bëhemi pjesë e Bashkimit Evropian. Në emision ofrojmë edhe një krahasim interesant me jetën e një shtetasi evropian me atë të një shtetasi shqiptar, dhe në këtë pikë është shumë interesante mënyra se si e shohin këtë vetë qytetarët”-vijon Rusi, duke theksuar se pjesë e rëndësishme e intervistave janë edhe disa shtetas të huaj që shpjegojnë këtë ndryshim nga këndvështrimi i tyre si evropianë.
Emisioni i parë do të transmetohet premierë, të mërkurën në orën 20.00 dhe ritransmetohet të premten në orën 16.00, për të gjithë ata që nuk kanë mundësi ta shohin premierën.
Ndërkohë Rusi shpjegon se çdo emision do të mund të shihet edhe në kanalin e Youtube të Report TV, në faqen online të Shqiptarja.com si dhe në faqen e delegacionit të Bashkimit Evropian në Tiranë.