Erion Veliaj ka vendosur të zvogëlojë me të paktën 20 përqind vlerën e bonusit që përfitojnë bebet e porsa-lindura në territorin e Bashkisë së Tiranës.
Prej vitit 2007, kohë kur kryeqyteti drejtohej nga Edi Rama, Bashkia e Tiranës vendosi shpërblim në vlerën 5 mijë lekë të reja për bebet.
Por, 13 vjet më pas, Bashkia e Tiranës, tashmë e drejtuar nga Erion Veliaj, jo vetëm që nuk e ka rritur vlerën e bonusit por, përkundrazi, nëpërmjet manovrave propagandistike, e ka ulur atë me të paktën 1 mijë lekë të reja.
Në Shkurt 2020, Veliaj deklaroi në një mbledhje të Këshillit Bashkiak se bonusi prej 5 mijë lekësh që bashkia u jepte prindërve të fëmijëve të porsa-lindur, do të zëvendësohej me “Shportën e bebes”.
Në “Shportën e bebeve” përfshihen disa artikuj të nevojshëm për neonatët, si pelena, shishe për biberona, shampo, letra, etj.
Për kryebashkiakun e Tiranës, kjo nismë do t’u jepte nënave të reja mundësinë për t’u shërbyer më shpejt fëmijëve, si edhe do të shmangte burokracitë për marrjen e bonusit prej 5 mijë lekë.
Por, “Shporta e bebes”, në fakt duket si një truk i Veliajt dhe administratës së tij për të ulur shpenzimet bashkiake për bebet.
Bashkia e Tiranës ka shpallur së fundmi tenderin “Shporta e bebes”, në bazë të të cilës parashikohet blerja e 9000 produkteve përbërëse të paketës.
Fondi limit për tenderin, pra vlera maksimale që ka parashikuar të shpenzojë Bashkia e Tiranës për blerjen e produkteve të “Shportës së bebes” është 37.494.000 lekë të reja.
Me një llogari të thjeshtë, vlera e një “shporte bebeje” arrin, maksimalisht, në vlerën 4100 lekë të reja, pra rreth 1 mijë lekë më pak se sa bonusi që ishte në fuqi prej vitit 2007, ose rreth 20 përqind më e ulët.
Por, vlera që do të shpenzojë Bashkia e Tiranës për bebe të sapo-lindur mund të jetë akoma më e vogël, duke mbajtur në konsideratë se fitues i tenderit shpallet kompania private që jep ofertën më të ulët.
Nga ana tjetër, duhet mbajtur në konsideratë se kompanie fituese, do të duhet të përllogarisë shpenzimet e saj, përfshirë taksa, kosto ambalazhimi dhe, natyrisht, fitimin.
Të gjitha këto bashkë do të ndikojnë që shifra tavan 4100 lekë, e parashikuar në tender, mund të ulet akoma edhe më shumë, duke bërë që nisma e Veliajt, “Shporta e Bebes”, të jetë më shumë një manovër për të kursyer edhe për të porsalindurit, sesa një ndihmesë efektive për nënat e reja.