“Baby on Board” quhet projekti më i ri i zhanrit komedi me skenar të aktorit Alex Seitaj dhe regjisor Endri Delisula që do transmetohet në Platformën TIBO. Mjafton të shkarkoni aplikacionin TIBO dhe seritë do të mund t’i shihni pa pagesë, falas.
Seritë lidhen me jetesën në një shtëpi në Tiranë të tre miqve, ku Ana njëra prej vajzave e njohur si vajza e çiltër, ngel shtatzënë me një djalë italian.
Tashmë asaj i duhet të përballet me një sfidë të re: Si nënë e një fëmije, por edhe me punën për të përballuar jetesën. Në fakt vetë dy miqtë e saj më të ngushtë, Josi dhe Xhilda po përgatiten për t’i qëndruar pranë mikeshës së tyre. Sfida, humor, të qeshura pafund, tematika të jetës së përditshme dhe situata nga më të ndryshme priten në këtë serial.
Ky është një bashkëpunim i pari i këtij lloji i TIBO-s për serialin me një kast aktorësh të famshëm. Ata janë:
-Alex Seitaj (Josi- tipi i mbyllur por shumë miqësor).
-Linda Jarani (Xhilda- aktivistja e të drejtave të vajzave dhe grave).
-Alesia Xhemalaj (Ana-vajza e çiltër).
Vetë Alex në një intervistë për TIBO News na zbuloi se seriali do të ketë gjithësej 16 episode, ku i pari pritet të publikohet nga Janari i 2022-shit. Puna vijon për të finalizuar këtë projekt që pritet të jetë një sukses i vërtetë.
I dashur për njerëzit dhe i spikatur si aktori që arrin të përshtatet më së miri me personazhet që luan, Alex shprehet se në rolin e Josit e ka gjetur veten më mirë se rolet e tjera të deritanishme:
“Tek personazhi i Josit jam ndjerë më mirë sepse është frymëzuar shumë nga unë, në bisedën me TIBO me thanë që duhet të isha pjesë e kastit të aktorëve dhe ka qenë shumë e thjeshtë. Tek të tjera role më ka pëlqyer të arratisem nga ‘unë’ dhe për këtë thashë; ok, në këtë serial dua të jem i veshur me tuta, bluza të gjera”.
Për serialin që do mund të shihet vetëm përmes transmetimit nga aplikacioni TIBO, Alex thotë se kemi të bëjmë me një tematikë që edhe pse me nota humori në fakt personifikon një histori familjare, aktuale. Personazhet në rol me njëri-tjetrin nuk kanë lidhje gjaku, ata janë thjesht miq.
“Kur e mendon është një histori e dhimbshme sepse të shumta janë vajzat që iu ndodh dhe nuk e kanë përkrahjen e duhur, ato kalojnë momente tepër të vështira. Por në rastin e Anës, ajo ka dy miq të ngushtë ‘aspak normalë’ që i qëndrojnë pranë dhe mendojnë se çfarë duhet të bëjnë për Anën. Edhe në jetën e tij jashtë rolit të Josit, Alex thotë se është po aq përkrahës dhe pranë miqve të tij më të ngushtë”.
Suksesin e këtij seriali nuk e vë në dyshim as regjisori Endri Delisula i cili njihet për bashkëpunimet e mëparshme dhe punën e tij me “Hostel” nga Anabel apo “Love Likes Tirana”.
Për Tibo News ai tregoi se të qeshurat edhe pas kuintave gjatë xhirimeve nuk kanë patur të mbaruar nga rrjedha e ngjarjeve.
“Skenari është Bibla i një seriali. Është hera e parë që ne bashkëpunojmë më TIBO, është një eksperiencë e bukur, po e prisnim këtë moment sepse ka nevojë tregu për seriale të tilla shqiptare, jo vetëm ato turke. Një ide shumë e mirë dhe ky serial mendoj se do të pëlqehet shumë nga njerëzit”.