Filmi “Babai” me skenar dhe regji nga Visar Morina në edicionin e 50-të të festivalit ndërkombëtar të filmit Karlovy Vary triumfoi me 2 çmime.
Në ngjarjen më të rëndësishme të filmit në Europën Qendrore dhe Lindore, ky film fitoi çmimin për regjinë më të mirë si dhe çmimin Europa Cinemas Label që ndahet nga Europa Cinemas Netvvork.
Me dy premiera brenda një jave, atë gjermane dhe botërore, ‘Babai’ ka rrëmbyer deri tani 6 çmime. Ky film fitoi 4 çmime në festivalin e madh Filmfest Munchen ndërsa tani i erdhi radha fitorës në Karlovy Vary në njërin ndër festivalet më të vjetra dhe më të mëdha në botë.
Visar Morina trimufoi përkrah regjisorëve të njohur në konkurrencën zyrtare si Florin Serban, Anca Damian, Peter Brunner duke marrë çmimin për regjinë më të mire, ku me këtë rast fitoi edhe kinematografia kosovare.
Ky film shtjellon rrëfimin e Norit (Val Maloku) një fëmijë i cili shet cigare në rrugë bashkë me të atin Gëzimin (Astrit Kabashi) në Kosovën e viteve të nëntëdhjeta ku babai dëshiron të gjejë një mënyrë për të emigruar në Gjermani, e i biri bën çdo gjë për të qenë me të.
Të zënë në mes të dëshirës për të qenë së bashku dhe nevojës për t’u ballafaquar me realitetin e vështirë, marrëdhënia babë-bir zhvillohet deri në pikën ku asgjë mes tyre nuk është më ashtu si ka qenë.