Babai i këngëtares së njohur Britney Spears, James, është tërhequr nga roli i kujdestarit të pasurisë së të bijës së tij, kanë treguar të dhënat e gjykatës.
Në një seancën gjyqësore të enjten, një avokat që përfaqëson Jamie Spearsin ka shkruar se ai “nuk beson se një betejë publike me vajzën e tij mbi shërbimin e tij të vazhdueshëm si kujdestar i saj do të ishte në të mirën e saj”, duke shtuar se “Spearsi synon që të bashkëpunojë me gjykata dhe me avokatin e ri të së bijës për t’u përgatitur rreth një kalimi të rregullt te një kujdestar i ri”.
Në dosjen e gjykatës thuhet gjithashtu se Jamie “tashmë kishte punuar drejt një transicioni të tillë” bashkë me avokatin e mëparshëm të vajzës së tij.
Avokati i tij i ka kërkuar një gjyqtari që ta refuzonte kërkesën për largimin e tij.
Mathew Rosengart, avokati i ri i këngëtares, ka thënë për “The Guardian” se paraqitja para gjykatës ishte “një fitore e madhe për Britney Spearsin dhe një hap tjetër drejt drejtësisë”. Ai gjithashtu ka bërë thirrje që Jamie “të tërhiqet menjëherë” nga detyra.
Britney e kishte akuzuar vazhdimisht babanë e saj për “abuzim me kujdestarinë” dhe ka pretenduar se kujdestaria e detyroi atë që të punonte kundër vullnetit të saj dhe që dikush tjetër t’i kontrollonte vendimet e shëndetit të saj personal. Ajo kishte thënë në gjykatë se për këtë arsye as nuk ka mundur të martohej dhe as të kishte një fëmijë tjetër.