Autoriteti i Konkurrencës ka njoftuar së fundmi se ka marrë në shqyrtim për autorizim marrëveshjes e blerjes së kompanisë së telefonisë “One” nga hungarezët e 4iG. Dokumenti i shitblerjes së aksioneve në masën 100% është protokolluar që më datë 20 janar t këtij viti. “Nga shqyrtimi i dokumentacionit, rezulton se transaksioni i njoftuar është në përputhje me nenin 10 dhe 12 të Ligjit, sipas të cilit duhet respektivisht të realizohet ndryshimi i qëndrueshëm i kontrollit si dhe të plotësohen kriteret e xhiros. Për sa më sipër, ky transaksion është objekt autorizimi nga Komisioni i Konkurrencës”, njofton autoriteti, duke ftuar ndër të tjera palët e interesuara, që brenda pesë ditëve nga shpallja e njoftimit, të shprehin opinionet e tyre për transaksionin e njoftuar.
Kujtojmë se kompania hungareze 4iG nuk ka arritur marrëveshje vetëm me “ONE” për blerjen e aksioneve por edhe me “Albtelecom”, transaksion i cili gjithashtu ka nevojë për autorizim nga Autoriteti i Konkurrencës. Marrëveshja me “Albtelecom” i referohet rreth 80% të aksioneve dhe dokumenti i transaksionit është depozituar pranë autoritetit që më datë 22 dhjetor të vitit të kaluar, ndërkohë që është njoftuar në datën 10 të këtij muaji. Me autorizimin e këtyre dy operacioneve 4iG merr kështu kontrollin e 2 ndër 3 operatorët e telefonisë lëvizëse që operojnë në vendin tonë, duke e përqëndruar edhe më shumë tregun.