Autoriteti i Konkurencës njoftoi nisjen e një hetimi për tre kompanitë celulare në vend dhe urdhëroi pezullimin e ndryshimit të çmimeve të paketave standarde pas dyshimeve për “marrëveshje të ndaluar”.
Qytetarë me celularë në duar në Tiranë. Pavarësisisht se çfarë kompanie zgjedh, kostot e komunikimit janë të njëjtat.
Në dy vendime të marra njëri pas tjetrit të premten Autoriteti i konkurencës njoftoi çelje të hetimeve për kompanitë celulare Albtelkom, Telekom Albania dhe Vodafone, për rritje me 100 lekë të çmimit të rimbushjes fillestare dhe rritjen e tarifave të paketave 30 ditore me parapagesë dhe urdhëroi pezullimin e këtyre ndryshimeve.
“Vihet re që të tre operatorët celularë kanë hedhur në treg paketat e reja standarde 30 ditore me parapagesë me një rritje në çmim prej 200 lekësh, si dhe kanë rritur vlerën minimale për rimbushjeje me 100 leke, nga 100 në 200 lekë, në periudhën kohore 30 Janar – 11 shkurt 2020, sjellje e cila në kuptim të nenit 4, pika 1, gërma (a) të ligjit nr. 9121, datë 28.07.2003 “Për Mbrojtjen e Konkurrencës”, i ndryshuar, mund të përbëjë një marrëveshje të ndaluar”, thuhet në vendimin e Autoritetit të Konkurencës për pezullimin e ndryshimit të tarifave.
Në vendimin për urdhërimin e pezullimit thuhet se “jemi përpara një rasti urgjence për shkak të rrezikut të kryerjes së një dëmi të rëndë dhe të pariparueshëm për konkurrencën në këtë treg”. Ndërkohë në vendimin paralel njoftohet fillimi i një hetimi paraprak prej 1 nëntorit 2019 deri në 31 mars 2020.
Autoriteti urdhëron tre kompanitë që të bëjnë “Ndërprerjen e menjëhershme dhe jo me vonë se 5 ditë nga njoftimi i këtij vendimi, të aplikimit të paketave të reja standarde 30 ditore me parapagesë”. Masa sipas vendimit do të zgjasë deri në përfundimin e hetimeve. Në vendimin e hapjes së hetimit vihet në dukje se Autoriteti i konkurencës ishte vënë në lëvizje prej dy ankesave nga qytetarë dhe një ankese nga Qendra “Konsumatori Shqiptar”, të cilat ankoheshin për rritje të çmimeve në mënyrë të pajustifikuar. Autoriteti ka ndërhyrë edhe më herët ndaj kompanive celulare. Një hetim i ngjashëm për faturimin katër javorë dhe një tjetër për rritje të menjëhershme të çmimeve, nuk gjetën shkelje edhe pse në të dy rastet kompanitë u tërhoqën pas disa muajsh.
Reporter.al/Vladimir Karaj