Është mbyllur me një sukses të jashtëzakonshëm edicioni i 16-të i festivalit “Kënga Magjike”. Pas një mbrëmjeje të vërtet gala, çmimin e parë të triumfit e ka ngritur dyshja Aurela Gaçe dhe Young Zerka me këngën e tyre “Pa kontroll”. Në këngë ritmike e kompozuar nga kompozitori i njohur Adi Hila. Vendi i dytë i takoi këngëtarit nga Kosova, Vedat Ademi dhe i treti shkodranes Rosela Gjylbegu.
Konkurenca ka qenë shumë e fortë deri në fund të votimit. Këngëtarët si Kejsi Tola, Rosela Gjylbegu, Vedat Ademi apo Endri & Stefi kanë qenë në fokus të pikëve maksimale nga shumë këngëtar. Megjithatë kënga “Pa kontroll” ka arritur të grumbulloj më shumë pikë për t’u shpallur si fituesja e këtij edicioni. Kjo është hera e dytë që Aurela Gaçe fiton vendin e parë në këtë festival, ndërsa për Young Zerka e para.
Çmimet e mbrëmjes finale të “Kënga Magjike 2014”
Mbrëmja ka rezervuar surpriza për rreth katër orë transmetim të drejtëpërdrejtë nga Pallati i Koncerteve, ku të ftuar special ishin këngëtarja e njohur italiane me origjinë shqiptare, Anna Oxa dhe prezentatori i njohur veteran italian, Pippo Baudo. Festivali është transmetuar ekskluzivisht në TV Klan, RTV 21 në Kosovë, MAD TV, Super Sonic TV dhe në të gjithë ballkanin përmes valëve të kanalit muzikor ballkanas me zyra në Sofje, Balkanika Music Television.
IMA / S. Dema