Aulona Musta nuk ka nguruar të përcjellë një mesazh thumbues për të gjithë personazhet publik që kanë thyer rregullat e karantinës, dhe madje kanë dhënë një shembull të keq për njerëzit e thjeshtë.
Në një video live në Instagram, moderatorja Musta, duke folur për rregullat që duhen zbatuar për të mbajtur larg pandeminë, ka përmendur dhe një detaj që nuk i ka shpëtuar syrit të saj. Disa nga personazhet e showbiz-it shqiptar kanë zgjedhur që fundjavave të relaksohen në vilat e tyre apo shtëpitë buzë detit. Kjo gjë Aulona Mustës i duket skandaloze.
Por, kujtojmë që disa ditë më parë, ishte Arbana Osmani ajo që u kryqëzua nga ndjekësit pasi postoi foto buzë detit. Duke përmendur detajet e shtëpisë në Durrës dhe fotove nga plazhi, Aulona nuk përmend emër, por është e qartë që i drejtohet moderatores së “Dua të të bëj të lumtur”.
Aulona Musta ka rrëfyer se këto veprime, të sjella nga personazhe publike që duhet të japin vetëm shembuj të mirë, i duket shumë zhgënjyese.
“Me sa kam parë disa e kanë bërë, shumë kanë nisur plazhin, dhe për mua është skandaloze. Personalisht për mua ka qenë shumë zhgënjyese të shikoj personazhet publik që postojnë foto dhe video nga plazhi. Ok unë e kuptoj. Shumë prej tyre kanë shtëpitë e tyre në plazh, në Durrës, në jug. Dhe me sa u informova ligji nuk të ndalon të shkosh në shtëpinë tënde sepse është një e drejtë themelore. Por dakord po shkove në shtëpinë tënde në plazh mos bëj karshillëk për pjesën tjetër, që nuk ka mundësi të shkojë dhe nuk duhet të shkojë sepse i është dhënë urdhër që duhet të rrijë në shtëpi. Tani çkuptim ka që ju personazhet publik para një jave keni bërë fushatën më të madhe rri në shtëpi, qëndro në shtëpi, posto foto me fëmijët, mamin, burrin, unë rri në shtëpi. Dhe ndërkohë pas një jave je duke bërë plazh. Kur sjell ti shembullin e keq, pse personazhet e thjeshtë nuk duhet ta bëjnë, mos janë gjë personazhet me brirë. E kuptoj të gjithë mund të kenë disa privilegje. Kështu që kjo pjesa ka qenë shumë zhgënjyese për mua…”- është shprehur Aulona Musta.
Por, duke përmendur disa personazhe që kanë thyer karantinën, Aulona Musta me siguri e ka edhe për Jonida Maliqin me aktorin Romeo Veshaj që nuk nguruan të bënin një udhëtim romantik në Jug të Shqipërisë.