Të bezdisshme si mizat e fundit të verës që zhurmërojnë pandërprerë! Kokëforta si grerëzat e acaruara që nuk të shqiten! Ngacmuese si mushkonjat e një natë të lagësht vere! Të paskrupullta si llafazanet e frustruara e të papuna të lagjes!
(…)
Dhe lista e cilësimeve nga më të ndryshmet, aspak të këndshëm, që njerëz të botës së artit e medias mund të kenë për dyshen Fatma Haxhialiu dhe Aulona Musta, mund ta vazhdojë gjatë dhe rrezik e mbush një libër të tërë. Në sytë e jo pak prej atyre që kanë gjetur veten si objekte dhe subjekte të thumbave të Fatmës dhe Aulonës, ato janë shëmbëlltyra e ligësisë absolute në botën e medias shqiptare. Dhe për mua, pikërisht ky detaj i këtij perceptimi ekstrem është dëshmia e mjaftueshme pse kozmologjia periferike e yjeve shqiptare ka nevojë për “shtriga” si Fatma dhe Aulona. Thjesht, pa personazhet që do i thumbonin, ndonjëherë edhe deri në keqtrajtim artistik, figurat publike, ato që rëndom i njohim si yje të botës së medias dhe artit, yjet tona mbase edhe do ta merrnin malin nga vetëvlerësimi i tepërt dhe deri te adhurimi pothuajse orgazmatik i vetes.
Në një kozmologji më të natyrshme yjesh, d.m.th të atyre shoqërive që yjësitë e veta të medias dhe artit nuk i kanë krijuar brenda natës, të gjithë ata që janë ngritur në stadin e yllit përbëjnë tërësinë e të gjitha synimeve sipërore që kanë njerëzit e rëndomtë. Yjet janë simbol i lirisë individuale, pavarësisë prej komplekseve, shtrëngesave dhe ngurrimeve të tjera, prej të cilave vuajnë të gjithë vdekatarët e rëndomtë, si dhe i mirëkuptimit fisnik për ata që akoma nuk kanë mbërritur gjë në jetë. Ndërkaq kozmologjia jonë e artit dhe e medias, duke qenë se vazhdon të jetë periferike, është e ndërtuar prej yjesh që akoma reklamojnë ushqimet, rrobat e shtrenjta dhe vendet që vizitojnë (padyshim shpërfaqje e një kompleksi shumë të pranishëm të inferioritetit dhe të një kujtese gjenetike për varfërinë e deridjeshme) si dhe yje që për nga doza e komplekseve që ushqejnë brenda vetes, nuk kanë asnjë dallim prej njeriut qoftë edhe më të rëndomtë të cilësdo lagje shqiptare. Të jesh yll nuk do të thotë vetëm të kesh dhunti në një tip të caktuar arti apo diç të ngjashme, por duhet të synosh që edhe të jesh simbol i frymëzimit për të gjithë ata që ndihen të ndrydhur nga kjo mënyra jonë e të jetuarit.
Çfarë modeli frymëzimi japin yjet tanë vallë?
Blej makinë të shtrenjtë, gjej të dashur të pasur, bëhu arrogant e shpërfillës, mbivlerësoje veten, e shumë akrobacira të tjera, që të gjitha mëse të rëndomta.
Ka plot që thonë: po këta nuk janë yje?
Gjithsesi, kjo është e thënë më një dozë përçmimi, por, në të njëjtën kohë, përbën edhe një tjetër manifestim të kompleksit tonë të inferioritetit. E vërteta është se të gjithë këta, kush më shumë e kush më pak, janë yjet e kozmologjisë sonë mediatike dhe artistike. Thjesht janë ata që janë, pasqyrim i asaj që jemi vetë ne. Por, ashtu siç ka yje dhe yje, ka edhe kozmologji dhe kozmologji. Dhe edhe këto dy kategori janë pasqyrim i vetë mënyrës sonë të të jetuarit që, nuk duhet shumë fjalë për ta thënë këtë, të gjithëve na ka ardhur në maje të hundës.
Pjesa më e madhe e njerëzve tanë e kanë humbur durimin dhe ngurrimin dhe, së paku në profile rrjetesh sociale, thumbojnë pothuajse secilën figurë publike, e sidomos ata të medias dhe të artit. Madje, disa e bëjnë këtë edhe në një mënyrë aq vulgare saqë ajo që do të duhej të ishte një koment apo shënim thumbues përfundon si një shprehje atipike banaliteti. Nuk ka dyshim se ky banalitet gjenezën e ka te frustrimi ynë kolektiv si shoqëri, por pavarësisht shkakut, asgjë nuk e legjitimon përdhosjen banale të vlerave të dikujt tjetër.
Në gjithë këtë lëmsh mediatik, artistik dhe social tonin, të dish të thumbosh, të provokosh njerëzit e jetës publike, gjithnjë në funksion të idesë për të parë sa vërtet këta njerëz janë të lirë nga komplekset, përbën një dhunti të veçantë artistike. Thumbimi nuk është humor, por është një proces shumë i ndërlikuar kreativ që synon një reagim të caktuar te publiku dhe provokim (para së gjithash) intelektual te subjekti i thumbit. Aulona dhe Fatma janë bartëse tipike të frymës së kësaj dhuntie të veçantë artistike në kozmologjinë shqiptare të medias dhe artit, ndërkaq pavarësisht sfidave ndonjëherë edhe shumë të sikletshme, ia kanë dalë që të ruajnë kontinuitetin e tyre kreativ. Nuk duhet harruar se disa njerëz, pavarësisht statusit social që kanë, thjesht nuk mund ta përballojnë idenë se mund të kritikohen për ndonjë gjë, ndërkaq disa të tjerë kanë tendencë që çdo bisedë a fjalë ta marrin si diçka personale.
Nëse bën pjesë në ato yje që si model jete kanë reklamimin e makinave, motoçikletave, rrobave të shtrenjta, atëherë domosdo se do të të thumbojë dikush. Apo nëse je pjesë e atyre yjeve që mendojnë se mjafton të jesh e bukur, në mënyrë që të bëhesh e famshme, sepse kjo ta garanton gjetjen e një dashnori super të pasur që do t’i sponsorizojë të gjitha, atëherë domosdo se dikush do të të sfidojë me një breshëri kunjash. Sidoqoftë, nuk më takon as mua dhe as askujt tjetër që ta gjykojë dikë për mënyrën se si zgjedh ta jetojë jetën e vet, nuk i takon as Fatmës e Aulonës dhe as edhe një thumbuesi tjetër. Jetojmë në atë pjesë të botës që synon të bëhet pjesë e familjes së kombeve që aplikon standardet më të larta të lirisë dhe tolerancës dhe nuk jetojmë as nën regjimin e ndonjë doktrine talibaneske dhe as nuk jetojmë më nën thundrat e ndonjë diktature të çmendur puritane. Në një shoqëri të lirë, secili ka të drejtë të jetojë si të dëshirojë dhe askush nuk guxon ta gjykojë dikë për asgjë, pos për gjëra për të cilat të kap ligji, por të thumbuarit është po ashtu pjesë e kulturës së një shoqërie të lirë. Dhe në një shoqëri vërtet të lirë nuk ka personazhe të kultit “lopë e shenjtë” dhe as të tipit “jam lule mos më prek”, gjithnjë përderisa thumbat nuk janë cenim i lirisë personale të atij/asaj që është subjekt i thumbit dhe për aq kohë sa thumbat nuk janë të motivuara nga agjenda personale.
Nëse je këngëtar/e dhe tërë kohën këndon vetëm playback, ky fakt nuk të bën më pak këngëtar, por një Fatmë dhe një Aulonë mund të ta lëshojë një thumb për këtë fakt. Nëse je prezantuese televizive, e tëra veç pamje dhe pak substancë, kjo nuk do të thotë se nuk e ke vendin aty, por një Fatmë dhe një Aulonë mund të ta lëshojë një thumb me spec. Nëse je shkrimtar dhe shkruan veç për një temë të caktuar, kjo nuk do të thotë se nuk di të shkruash edhe gjëra të tjera, por një Aulonë dhe një Fatmë mund të ta lëshojë një kunj prozaik. Nëse je aktor/e dhe të duan të gjithë dhe nga qejfi fluturon mbi re atëherë një Aulonë dhe një Fatmë mund të ta lëshojë një thumb, veç sa për të ta përkujtuar se ekziston edhe bota mbi tokë, por kjo nuk do të thotë se nuk e meriton famën që e ke. Një yll i vërtetë është imun ndaj thumbave, një yll i vërtetë është i përmbushur dhe thumbimin e kupton si një çast të domosdoshëm reflektimi dhe jo si një pretekst për të shpërthyer zemëratën dhe marazin. Së paku kështu do të duhej të ishte.
Kam provuar vetë thumbimet nga më të ndryshmet, si ato me spec pikant nga vetë Fatma e Aulona e deri te thumbime toksike dhe me motive krejtësisht personale nga njerëz që kanë problem me suksesin e tjetrit. E di shumë mirë se nuk është ndjenjë e mirë kur dikush të thumbon, janë të sikletshme sidomos ato minutat e para, por, në të njëjtën kohë, thumbimi që ta bëjnë është një dëshmi e padiskutueshme se je dikush, se ke bërë diçka në jetë apo se thjesht përpjekja jote për të bërë diçka ka filluar të lë vijë në shprehje. Poshtë apo lart, mirë apo keq, sharje apo reklamë, e tëra është veç çështje këndvështrimi.
Për shijen time personale, në paraqitjet e tyre vizive, gjithnjë brenda karakterit të thumbueses Aulona dhe Fatma janë pak teatrale, njëlloj si të kishin dalë nga ndonjë produksion i Molierit i punuar në ndonjë nga teatrot e kohës së komunizmit, që ndonjëherë e krijon shijen e sforcimit. Në nguti e sipër, hera herës rrëshqasin drejte stepave moralizuese dhe gjykuese, që në vetvete është diçka shumë arkaike, por përkundër koketimit me këtë shprehi të kudogjendur, gjithsesi ato vazhdojnë të jenë vetja e tyre. Ndonjëherë e humbin idenë thjesht duke i mbimenduar (overthink) gjërat p.sh çështja nëse Adelina Tahiri është këngëtare apo performuese që u bë temë gjatë një debati në Top Channel është shembulli më tipik i kësaj. Për ata që nuk e dinë Fatma e kishte kritikuar keq Adelinën, deri në atë pikë saqë thuhet se Adelina edhe ka qarë pasi që Fatma i pati thënë se Adelina nuk është këngëtare por vetëm performuese, pasi që kjo nuk ka kënduar asnjëherë LIVE. Fjala “performues” nga anglishtja “performer” do të thotë dikush që i argëton njerëzit duke kënduar, aktruar, duke kërcyer apo duke i rënë ndonjë instrumenti. Me fjalë të tjera, çdo njeri i skenës është performues, ndërkaq fakti që kohërat bashkëkohore japin mundësinë e të kënduarit në playback nuk e bë dikë më pak ose më shumë këngëtar. Është tjetër gjë, potenca e të kënduarit me ose pa efekte të studios, kjo veç është një temë tjetër që supozoj se ishte edhe thelbi i asaj që Fatma dëshironte të shtjellonte, por që për shkak të mbimendimt (overthinking) humbi në ecje e sipër.
Në të shkruar, thumbat e tyre të derdhura në panumër statuse në rrjete sociale, janë shumë më përmbajtjesore, më të rafinuara dhe shumë më ngacmuese, mbase thjesht për shkak se kanë kohë të mendojnë më qartë për konceptin e thumbit. Në pikëpamjen time, pjesa më e madhe e thumbimeve në rrjete sociale nga Aulona dhe Fatma janë krijime të pastra artistike, si në ide, formë dhe realizim. Të qenit protagonist i ndonjërit nga këto thumbime, pavarësisht kontekstit, paraqet një lloj privilegji por edhe konfirmim të relevancës publike të protagonistit.
Përderisa kozmologjia jonë artistike dhe mediatike vazhdon të jetë e dominuar nga yje që vuajnë nga komplekse e shtrëngesa vdekatarësh të rëndomtë, nga yje që e kanë ngritur veten në kultin e lopës së shenjtë dhe yje me mungesë edukate themelore, personazhet si Fatma dhe Aulona, sado që mund t’i shajmë e mos të na pëlqejnë, janë të domosdoshme për procesin e kalimit të adoleshencës kolektive në të cilën gjendet shoqëria jonë. Dhe përballë yjesh të tilla, me shpirt të ngushtë e zemër të vogël, që çdo gjë e (keq)kuptojnë si diçka personale, duke kaluar sfidat arkaike që kemi ne si shoqëri, duke fluturuar mbi pengesat që ne kemi projektuar mbi të gjitha personazhet femra, duke mos hequr dorë nga të qenit e një lloj alter egoje pikante në këtë kozmologji kaq vulgare, padyshim se Aulona Musta dhe Fatma Haxhialiu nuk duhet të shihen si asgjë më pak sesa si gladiatorë të metropolit tonë.
Në fjalët e Fishtës, “inatin mbaje por hakun mos ia ha”, sado që personalisht për mua Fatma dhe Aulona nuk bëjnë pjesë në grupin e figurave të preferuara, gjithsesi kjo nuk i bën ato më pak artiste dhe as më pak të domosdoshme, si fenomen dhe si personazhe, për ruajtjen e balancave të brishta në raportet e estradës, artit e medias me publikun.
Dhe të tilla si ato duhet të ketë edhe shumë të tjerë.